Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, dramaturgu Jeton Neziraj ka identifikuar tri sfidat kryesore me të cilat, sipas tij, përballet shoqëria në Kosovë sot.
E para, sipas Nezirajt, është konfrontimi me religjionin, ose më saktë me rritjen e sentimentit të fundamentalizmit religjioz dhe keqinterpretimin politik të fesë. Ai theksoi nevojën për dialog të hapur dhe të sinqertë me komunitetet fetare, për t’i përfshirë ato në mënyrë aktive në jetën publike pa i demonizuar.
“Nuk duhet ta shohim religjionin si diçka të jashtme, por si pjesë të shoqërisë sonë”, ka thënë ai.
Sfida e dytë që përmendi ishte raporti i pazgjidhur politik me Serbinë, i cili, sipas tij, vazhdon të mbajë peng zhvillimin e vendit.
“Një pjesë e madhe e energjisë shtetërore ka qenë e fokusuar në dialogun me Serbinë dhe në çështjen e pakryer të luftës”, u shpreh Neziraj, duke theksuar se shumë probleme të brendshme janë justifikuar me problemet me Serbinë.
Sfida e tretë, që ai e cilësoi si më e ndërlikuara, ka të bëjë me një kaos të vlerave, që ka përfshirë jo vetëm fushën e artit, por edhe median dhe jetën publike në përgjithësi.
“Sot është e vështirë të dallosh një portal kredibil nga një portal që është hapur nga një qoshe e dhomës. I njëjti çakordim vlerash vlen edhe për teatrin dhe raportin e tij me publikun”, shtoi dramaturgu.
Neziraj theksoi se ky çorientim shoqëror e bën të vështirë projeksionin e së ardhmes, sidomos në fushën e kulturës dhe të artit.
