Arbëri

Nesër hidhet shorti për renditjen e subjekteve për lokale, janë 91 subjekte

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se nesër do të hidhet shorti për renditjen e subjekteve politike për zgjedhjet lokale.

Gjithashtu, KQZ po i vazhdon përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve lokale të 22 tetorit.

Kur kanë mbetur më pak se 2 muaj deri në ditën e votimit KQZ thotë se ka përmbushur detyrat si institucion. KQZ ka përmbyllur edhe fazën e certifikimit të subjekteve politike.

Gjithsej janë 91 subjekte të cilat do të garojnë në zgjedhjet lokale ndërkohë tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim do të bëhet të hënën.

“Në afatin e paraparë është përmbyllur periudha e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Gjatë kësaj periudhe kemi pranuar 11 mijë e 813 aplikacione për regjistrim dhe se shumica prej tyre kanë ardhur përmes ndonjërës nga tri email adresat e shërbimit votues. Prej tyre janë aprovuar 10 mijë e 475 aplikacione, kurse janë refuzuar 1 mijë e 338 të tjera”, ka thënë Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, raporton transmetuesi publik.

Një fazë tjetër e procesit zgjedhor është edhe mundësia për të ndërruar Qendrën e Votimit vetëm brenda të njëjtës komunë. Kjo periudhë do të përmbyllet me datë 12 shtator.

“Në mes të muajit shtator pritet të Certifikohet Lista Përfundimtare e Votuesve për këto zgjedhje. Pra, do ta dimë saktë se sa është numri i votuesve. Tani për tani kemi të dhënat e Listës Preliminare / Jo Përfundimtare të Votuesve e cila përmban 1 milion e 900 mijë e 669 emra të votuesve, me një rritje prej 15 mijë votues në krahasim me Zgjedhjet Parlamentare të 11 qershorit”, shtoi Elezi.

Në mesin e 91 subjekteve garuese janë 35 Parti Politike; 1 Koalicion; 30 Iniciativa Qytetare; dhe 25 Kandidatë të Pavarur (për Kryetar Komune apo për Kuvende Komunale, në komuna të ndryshme).