Nënkryetari i komunës së Prizrenit, Lulzim Kabashi ka thënë se një pjesë të fajit për vdekjen e tre vjeçares, Xheneta Gashi e ka nëna e saj, Lirije Gashi.
Në një intervistë në “Interaktiv” të KTV-së ai ka thënë se nëna e viktimës ka qenë e vetëdijshme për rrezikun që i kanosej dhe sërish kishte shkuar në atë objekt.
Lirije Gashi e mban përgjegjëse komunën për vdekjen e vajzës së saj, pasi sipas saj një zyrtare kishte urdhëruar largimin e pengesave fizike, pas të cilit veprim edhe kishte ndodhur tragjedia para nëntë muajsh, meqë një pjesë e kulmit dhe e murit të shtëpisë së vjetër ishte rrënuar dhe kishte zënë përfund vajzën e saj tre vjeçe, Xheneta Gashin.
Nëna kërkon përgjegjësi nga Komuna e Prizrenit për vdekjen e fëmijës
Ajo për Koha Ditore kishte thënë se kishte vendosur pengesa fizike në rrugën “Marin Barleti” në formë dërrasash të vjetra dhe gjësende të tjera, për të penguar afrimin e fëmijëve të saj në një shtëpi që ishte në prag të rrënimit.
Kabashi ka thënë se nuk është kompetencë e Komunës, por e nivelit qendror dhe organeve të sigurisë.
“Ky është problem i nivelit qendror dhe organeve të sigurisë. Kompetencat nuk mund të mbahen nga komuna në rastin konkret. Jo për të hequr fajin, por objekte të tilla ka shumë dhe nuk ka buxhet komuna për këto projekte”, ka thënë ai. “Një pjesë të fajit e ka edhe nëna e viktimës, pasi disa herë ka hyrë në atë objekt. Ajo edhe vet ka thënë se ishte e vetëdijshme për rrezikun dhe ishte rikthyer përsëri aty”.