Vdekja e trevjeçares Xheneta Gashi në Rrugën “Marin Barleti” në Prizren dha kumtim se trashëgimia kulturore kishte nisur të merrte jetë njerëzish.
Shembja e strukturave të një ndërtese në qershor të vitit 2016 në Qendrën Historike të Prizrenit, rezultoi me tragjedi. Asokohe, institucionet lokale e qendrore u ngritën në këmbë për të marrë masa. Askush nuk kishte marrë përgjegjësi përderisa niveli qendror dhe ai lokal ia hidhnin fajin njëri-tjetrit, transmeton KOHA.
Veprimi më i madh në praktikë ishte rrethimi i objekteve të rrugës “Marin Barleti”, në mënyrë që qytetarët të mos kenë mundësi të afroheshin. Ndër vite ishte raportuar për gjendjen jo të mirë të ndërtesave të Qendrës Historike të Prizrenit që prej vitit 2012 mbrohen si tërësi nëpërmjet Ligjit të veçantë për këtë zonë. Por, prej atëherë deri më tash, institucionet janë kujdesur për këtë zonë vetëm përmes nismave që ende nuk janë konkretizuar.
Ndërhyrjet në konservim e restaurim të ndërtesave kanë qenë për monumente veç e veç. Por, raportimet për shkatërrim të ndërtesave kanë qenë më të shpeshta. Qendra Historike Prizrenit është shembulli ku monumentet zhduken për t’u hapur rrugë parkingjeve.
Katër vjet pritje për dokumentin strategjik
Në gusht të vitit 2016, Ministria e Kulturës dhe Rrjeti i Organizatave të Kulturës në Prizren kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për hartimin e Planit të menaxhimit të Qendrës Historikë të Prizrenit. Ky dokument nuk është miratuar ende dhe nuk dihet se kur do të zyrtarizohet.
Synohej që nëpërmjet Planit të caktohej se cilat do të ishin përgjegjësitë e Ministrisë së Kulturës, Komunës së Prizrenit dhe Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor. Vitin e kaluar janë mbajtur edhe dëgjimet publike. Por, Plani i pamiratuar qëndron ende në sirtarët e Ministrisë së Kulturës. Ishte hartuar nga përfaqësues institucionalë e anëtarë të shoqërisë civile.
Sivjet, Ministria e Kulturës ka themeluar një grup për rishikimin dhe plotësimin e planeve të menaxhimit.