Arbëri

Në vitet 2018-2019, Kosova shënoi rekord për kontrata lobimi me kompani amerikane

Vitet 2018 dhe 2019 e shënojnë kulmin e shpenzimeve që shteti i Kosovës i ka bërë në kontrata për lobim me kompani amerikane. Vlera e kontratave të nënshkruara është 4.6 milionë dollarë. Është kjo periudha kur po tentohej të arrihej një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, gjë që konfirmohet edhe në raportimet e njërës prej kompanive që ka marrë më së shumti para nga shteti i Kosovës, “Ballard Partners”

Në historinë e lobimit të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), vitet 2018 dhe 2019 e shënojnë njërën prej periudhave më intensive dhe më të kushtueshme.

Këta dy vjet mbeten kulmi i shpenzimeve shtetërore me kontrata, të cilat u bënë me qëllimin për të siguruar mbështetje ndërkombëtare në procesin e njohjeve, në anëtarësim në organizata ndërkombëtare, si dhe për ta shtyrë përpara dialogun me Serbinë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, në vitin 2019 janë shpenzuar 2.8 milionë dollarë në kontrata lobimi, 1.82 milionë dollarë janë shpenzuar më 2018, kurse 689 mijë dollarë më 2017.

Në vitet 2018-2019, shteti i Kosovës ka kontraktuar kompani të fuqishme lobuese në Washington. Është kjo periudha kur po tentohej të arrihej një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Ish-presidenti Hashim Thaçi e vuri prioritet arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, duke e konsideruar atë si mundësinë më të madhe historike për Kosovën. Kjo konfirmohet edhe në raportet e njërës prej kompanive që ka marrë më së shumti para nga shteti i Kosovës, “Ballard Partners”.

Kjo kompani që udhëhiqet nga Brian Ballard, i cili është lobist i afërt me presidentin amerikan, Donald Trump, në vitin 2018 ka pasur kontratë me qeverinë e Kosovës në vlerë prej 547 mijë dollarësh.

Në njërin prej dokumenteve të kësaj kompanie përmendet takimi që ish-përfaqësuesja e BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Federica Mogherini, e ka organizuar midis Thaçit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Presidenti i Kosovës, Thaçi, po bën përpjekje për marrëdhënie më të mira me Serbinë, duke deklaruar: ‘Nuk mund të mbetemi viktima të së kaluarës së hidhur, por duhet të shohim përpara... ky është momenti i duhur... sot kemi diskutuar çështje konkrete, kemi diskutuar modalitetet se si të shkojmë drejt fazës përfundimtare të dialogut duke gjetur një zgjidhje... duam të ndërtojmë marrëdhënie normale”, shkruan në raport. “Presidenti i Kosovës, Thaçi, deklaroi: ‘Jam i bindur se ka ardhur koha, pas 20 vjetësh negociatash me Serbinë, për të nënshkruar një marrëveshje historike midis Kosovës dhe Serbisë, që do t'i japë fund një epoke tragjike që zgjati më shumë se një shekull’”.

Edhe në raportimin e 12 majit të 2019-s, ku autor për llogari të kësaj kompanie është ish-zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), James Rubin, shkruante: “Presidenti i Kosovës, Thaçi, tha se bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit duhet të vazhdojnë sa më shpejt të jetë e mundur, pa u ankuar për njëri-tjetrin ose pa folur për të kaluarën”.

Në raportimin e datës 13 korrik 2018 theksohet edhe pritja e Kosovës për t’u anëtarësuar në INTERPOL.

“Si anëtar i INTERPOL-it, (Kosova) do të ketë qasje në të dhënat e ITERPOL-it dhe do të jetë në gjendje të shkëmbejë informacione të vlefshme në luftën globale kundër krimit të organizuar”, shkruan në raport.

Asokohe, një nga zgjidhjet që u pati propozuar nga Thaçi ka qenë korrigjimi i kufijve me Serbinë. Ai proklamonte se Kosovës duhet t’i bashkëngjiten Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, pa treguar se çka do të jepte Kosova në këmbim. Shqetësimi brenda në Kosovë, por edhe në mesin e shteteve të Bashkimit Evropian (BE), përfshirë Gjermaninë ka qenë se po tentohet rivizatimi i kufijve, në kuadër të të cilit Serbisë mund t’i jepej veriu i Kosovës në këmbim të një pjese të Luginës.

Më 27 qershor të 2022-tës u pati caktuar takimi mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, me ndërmjetësimin e presidentit Trump. Derisa Thaçi ndodhej në Vjenë, takimi u anulua pasi që Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) me seli në Hagë ka njoftuar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës. Takimi është shtyrë për 4 shtator 2020, me ç’rast ish-kryeministri Avdullah Hoti ka nënshkruar një marrëveshje për normalizim ekonomik me Serbinë.

Më 5 nëntor të 2020-tës, Thaçi pati dhënë dorëheqje nga posti i presidentit pasi iu konfirmua aktakuza. Ndaj tij dhe ish-udhëheqësve të tjerë të UÇK-së është duke vazhduar gjykimi në Dhomat e Specializuara. Së fundi, dëshmitë në kuadër të gjykimit i kanë dhënë dëshmitarët e mbrojtjes. Në mesin e tyre edhe James Rubini. Ai është pyetur edhe për kontratat e lobimit që i ka pasur me Kosovën.

Rubin është përgjigjur se kontaktin e fundit me Thaçin e ka pasur para se atij t’i ngrihej aktakuza, në kohën kur ka punuar në kompaninë “Ballard Partners”, e cila kishte kontratë lobimi me Qeverinë e Kosovës.

“Hera e fundit që kam qenë në kontakt me z. Thaçi, siç e thashë edhe dje në dëshminë time, ishte në vitin 2020, kur e përfaqësoja atë në kërkim të marrëveshjes së paqes së përhershme me Serbinë. Në këtë periudhë të 2020-tës, para ngritjes së aktakuzës, kam punuar me të, kam biseduar me të. Gjatë vitit 2020 ka qenë hera e fundit, pra, që më kujtohet të jem takuar dhe që kam biseduar me z. Thaçi apo ndonjë prej përfaqësuesve të tij formalë”, ka thënë Rubin gjatë dëshmisë.

Ai ka konfirmuar para gjykatës se vlera e kontratës së kompanisë me Qeverinë e Kosovës ka qenë 56.000 euro në muaj.

Janë edhe dy kompani të tjera amerikane që kanë pasur kontrata lobimi në vitin 2019. “Pillsbury” ka nënshkruar kontratë me Qeverinë e Kosovës në vlerë prej 784 mijë dollarësh, kurse “Aston&Bird” prej 648 mijë dollarësh.

Edhe në vitin 2018, “Alston&Bird” ka pasur kontratë me shtetin e Kosovës në vlerë prej 715 mijë dollarësh, ndërsa “Ballard Partners” prej 547 mijë dollarësh.