Arbëri

Në Ukrainë paralajmërohet hapja e konkursit për gazetarët që duan të vijnë në Kosovë

Kryetari i Sindikatës Kombëtare të Gazetarëve të Ukrainës ka konfirmuar se pret brenda pak ditësh hapjen e konkursit për 20 gazetarët ukrainas që do të vijnë në Kosovë. Kryetari i Sindikatës ukrainase, Sergij Tomilenko, ka thënë se procesi është zgjatur për t’i krijuar kushtet për gazetarët, si dhe për kriteret e konkursit.

Në fillim të marsit, Qeveria e Kosovës ka vendosur për strehimin e 20 gazetarëve nga Ukraina.

E as tash në muajin prill, gazetarët nga Ukraina nuk kanë ardhur.

Por, siç ka treguar për KOHËN kryetari i Sindikatës Kombëtare të Gazetarëve të Ukrainës, Sergij Tomilenko, vonesa ka ndodhur shkaku i saktësimit të programit përmes të cilit ata do të vijnë në Kosovë.

“I kemi rekomanduar tri aplikime, por ndoshta është më mirë të themi para-aplikime, sepse brenda pak ditëve do ta hapim thirrjen, ta hapim iniciativën... Nuk është problem të organizohet konkursi dhe të marrësh shumë aplikime, por është sfidë administrative që të zgjidhen të gjitha aspektet se si do të vendosen të gjithë gazetarët në Kosovë, kështu që po presim aprovimin e të gjitha rregullave dhe planit për zbatimin e këtij programi”, ka thënë Tomilenko.

Sipas tij, me programin me të cilin gazetarët ukrainas vijnë në Kosovë përfshihen edhe akomodimi edhe për familjet e tyre dhe hapësira për punë dhe zyre ku ata mund ta bëjnë punën e tyre.

“Na duhet të mendojmë edhe për plan strategjik për të ardhmen, sepse mijëra gazetarë ukrainas dhe punëtorë të mediave janë në nevojë globalisht. Pra, prognoza ime është te kemi mbi 40 aplikime, por mendoj se do të marrim edhe më shumë... Tash për tash mendoj që ne me partnerët ndoshta kemi përgatitur të gjitha informacionet dhe të gjitha rregullat, të gjitha marrëveshjet për fillimin e këtij programi”, ka thënë ai.

E Ministria e Punëve të Brendshme e ka thënë për KOHËN se kanë formuar trup për koordinimin e punës administrative për ardhjen e gazetarëve ukrainas. Ndërsa lidhur me ukrainasit që janë aktualisht në Kosovë kanë deklaruar se asnjë s'ka aplikuar për status refugjati.

“Aktualisht në Kosovë vazhdojnë të qëndrojnë 120 persona me statusin e mbrojtjes ndërkombëtare: prej tyre 99 persona kanë status të refugjatit, si dhe 21 persona kanë status të mbrojtjes plotësuese. Ju njoftojmë se deri më tani në Departamentin për Shtetësi, Azil dhe Migracion nuk është drejtuar asnjë aplikacion apo kërkesë për mbrojtje ndërkombëtare për shtetasit nga Ukraina. Ministria e Punëve të Brendshme bashkërisht me institucionet e tjera relevante janë duke bërë përgatitjet e nevojshme për pritjen dhe trajtimin e refugjatëve potencialë që mund të vijnë nga shteti i Ukrainës në përputhje me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ndërkaq sa u përket 20 gazetarëve nga Ukraina, MPB ka themeluar një trup koordinues ndërinstitucional, i cili është duke i koordinuar veprimet për të siguruar transferim të sigurt të gazetarëve të Ukrainës në Kosovë. Për shkak të ndjeshmërisë së procesit, do të mund të ndajmë informacione shtesë vetëm në një fazë të mëvonshme”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

KOHA ka kërkuar përgjigje nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme, se deri ku kanë shkuar përgatitjet, por nuk ka marrë përgjigje.

Qeveria ka ndarë kohë më parë 150 mijë euro për strehimin e gazetarëve ukrainas.

Ukraina që po sulmohet vazhdimisht nga Rusia është vend i rrezikshëm për gazetarët.

Sipas Sindikatës së Gazetarëve të Ukrainës, deri tani janë vrarë gjashtë punëtorë të mediave duke kryer punë gazetareske dhe katër të tjerë, të cilët janë mobilizuar në ushtrinë ukrainase.

Që nga fillimi i luftës në kontinentin evropian rreth 4 milionë refugjatë, apo 10 për qind e popullsisë kanë ikur nga Ukraina.