Nga e hëna ka nisur të rrjedhë afati 10-ditor, brenda të cilit presidentja Vjosa Osmani duhet të zhvillojë diskutime me përfaqësues të subjekteve politike për caktimin e mandatarit të dytë për formimin e Qeverisë. Por, këtë s’do ta bëjë në tri ditët e ardhshme. E, në KQZ vlerësuan se nëse do të vendoset për zgjedhje të parakohshme, kjo do të përbëjë sfidë për institucionin
Së paku në tri ditët e ardhshme nuk do të ketë veprime në funksion të caktimit të ri të mandatarit, që duhet ta bëjë presidentja Vjosa Osmani.
Ajo ka mbërritur në Arabinë Saudite për të marrë pjesë në forumin “Iniciativa për Investime në të Ardhmen”, i cili është hapur të hënën e do të përmbyllet të mërkurën.
Osmani ka dhjetë ditë në dispozicion për zhvillimin e diskutimeve me përfaqësues të partive politike në lidhje me caktimin e mandatarit, pasi kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka dështuar të sigurojë mjaftueshëm vota të dielën në Kuvend, për ta formuar qeverinë e re.
E gjatë ditës, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka takuar atë të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Por, pas takimit nuk kanë treguar nëse diskutimi është bërë për ndonjë koalicionin eventual.
“Me pas dasht ju me dit, ju kishim thirr brenda në takim”, ka thënë Abdixhiku në pyetjen e gazetarëve nëse takimi pati të bëjë me zgjedhjet e reja apo me balotazhin e zgjedhjeve lokale.
Ndërkaq deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, e ka lënë të hapur mundësinë që Kurti të synojë edhe një herë ta bëjë qeverinë.
“Unë besoj që i vetmi ndryshim mund të jetë që në rast se ka vullnet të deputetëve të caktuar për të votuar qeverinë dhe mandatarin, në këtë rast kryeministri Albin Kurti mund të garantojë se i ka 61 vota dhe të thirret një seancë tjetër brenda afatit kushtetues”, ka thënë ajo.
Por, në shoqërinë civile nuk shprehën pritje se procesi do ta prodhojë qeverinë e re.
“Pavarësisht që ka hapësirë që të veprohet në kuptimin procedural që të zgjidhet edhe një qeveri, besojmë që mundësia më e mirë që të zhbllokohet kjo situatë që vendi të përfundoj në zgjedhje të parakohshme thjeshtë të vazhdojmë ose të mbahen zgjedhjet e reja në kuptimin që të kërkohet si legjitimitet i përfaqësimit qoftë në kuvend qoftë edhe në formimin e në kabineti qeveritar”, ka deklaruar Vullnet Bugaqku, hulumtues në KDI.
Zgjedhjet eventuale të parakohshme do të shënonin procesin e tretë elektoral brenda vitit, pa përfshirë balotazhin që do të mbahet pas dy javësh.
Në KQZ kanë thënë se organizimi i zgjedhjeve të reja do të përbëjë sfidë për këtë institucion.
“Organizimi i një procesi të ri zgjedhor brenda një periudhe të shkurtër, sigurisht që përbën sfidë për KQZ-në dhe stafin e saj, veçanërisht për faktin se jemi ende në fazën aktive të administrimit të zgjedhjeve lokale. Por KQZ, si gjithmonë, do të veprojë në përputhje me mandatin e saj ligjor dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme nëse vendoset për mbajtjen e zgjedhjeve të reja”, është shprehur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Të dielën, mandatari për formimin e Qeverisë, Albin Kurti nuk arriti të marrë 61 votat e nevojshme për formimin e qeverisë.
Pas seancës, të gjithë taborët politikë kanë deklaruar se nuk janë të gatshëm që të propozojnë një mandatar të ri dhe kanë shprehur gatishmërinë për të shkuar në zgjedhjeve të parakohshme.