30 ditët nga përfundimi i mandatit të presidentes Vjosa Osmani, që sipas nenit 86 të Kushtetutës është afati brenda të cilit duhet të zgjidhet presidenti i ri, mbushen pas pesë orësh. Megjithatë, deri tani në garë për postin e presidentit është vetëm një kandidat, ministri i Jashtëm Glauk Konjufca, i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Që votimi të zhvillohet kërkohen të paktën dy kandidatë.
Pesë orë nga përfundimi i afatit për zgjedhje të presidentit, vendi ka vetëm një kandidat nga dy sa kërkohet që votimi të jetë i vlefshëm.
Lëvizja Vetëvendosje, të mërkurën njoftoi se ka mbledhur 30 nënshkrime për kandidimin e Glauk Konjufcës. E kryeministri Kurti të enjten shprehu pritshmërinë për propozimin edhe të një kandidati nga partitë opozitare.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Urojmë, e besojmë, e shpresojmë edhe në një kandidaturë të dytë në mënyrë që ta përmbushim kërkesën kushtetuese për garë”, tha Kurti.
Neni 86 i Kushtetutës, pika dy thotë se “Zgjedhja e presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual”. Vjosa Osmanit mandati i skadon më 4 prill.
E vetë kandidati për president, Glauk Konjufca, që mban postin e ministrit të Punëve të Jashtme tha se do të votonte për rizgjedhjen e Osmanit.
“Ka shumë njerëz më të mirë se unë, ka shumë njerëz më të përgatitur se unë, le ta propozojnë ata njërin. Po Vjosa Osmanin le ta propozojnë pra Vjosa Osmanin ose këdo tjetër, edhe unë vet do e votoj”, tha Konjufca.
Koalicioni qeverisës, i udhëhequr nga Vetëvendosja ka 66 deputetë në Kuvend. Pra ka mundësinë që ta vendosë edhe një kandidat. Këto nënshkrime, kryetarja e Grupit Parlamentar të LVV-së ia ka ofruar Vjosa Osmanit, Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike.
Për zgjedhjen e presidentit, në dy raundet e para të votimit duhet të jenë 80 vota në kuti. Këtë kuotë do ta përmbushte pjesëmarrja e deputetëve të PDK-së ose të LDK-së.
Kryetari i partisë së dytë për kah fuqia në Kuvend, Bedri Hamza ka insistuar në marrëveshje për votimin e kandidatit të PDK-së.
“Pa marrëveshje politike nuk ka kandidat. Ne kemi kërkuar marrëveshje politike, e kemi dhënë ofertën tonë. Marrëveshjen politike e cila nënkupton që kandidati apo kandidatja e propozuar nga Partia Demokratike të jetë president”, tha Hamza.
Mundësinë e vazhdimit të bisedimeve me Kurtin e hodhi poshtë kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, pasi tha se është komprometuar procesi.
E kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri kritikoi Vetëvendosjen për amulli në proces.
“Jemi dakorduar të mos ketë veprime unilaterale, të ketë konsensus, kjo është rruga dhe më pas ç’është e vërteta edhe procesi është komprometuar tani sepse unë mbrëmë kuptova nga deklarimet e Zyrës së Presidentes se derisa ne kemi qenë në biseda, ata kanë shkuar kanë kërkuar fajësime për opozitën. Pra në një anë je në tavolinë me dikë, në anën tjetër bën skenar të fajësimeve”, tha Abdixhiku.
“As nuk kemi kandidatë, as nuk din kush kur ka seancë, as nuk është i informuar asnjë deputet se çka do të ndodhë. Sot është dita e fundit. Lajmet që dalin në media për besë ne nuk mund t’i komentojmë, çfarëdo komentimi që bëhet pa pasur asnjë dokument përpara është joseriozitet. Na ka ardhur vendin në këtë ditë të festës në rrethana jashtëzakonisht eksperimentale, total joseriozitet”, tha Tahiri.
Vjosa Osmani ka shprehur ambiciet për rizgjedhje.
Megjithatë shefja e stafit të saj, Learta Hollaj, mbrëmë në “Interaktiv” ka thënë se ofertën e Vetëvendosjes për 33 nënshkrime për t’ia mundësuar presidentes kandidimin edhe për një mandat, do ta pranonin nëse ajo vjen më 57 votat e partisë në pushtet për Osmanin.