Një shpërthim i zjarrit të mërkurën mbrëma në Spitalin COVID në Tetovë, mori jetën e 10 personave, derisa mbetën të plagosur edhe disa të tjerë, shkruan Alsat.
Zjarri shpërtheu në spitalin modular në Tetovë, për të cilin në mesin e muajit prill është raportuar se janë konfirmuar gabime gjatë ndërtimit.
Sipas një shkrimi në media, thuhej se firma e cila ka kryer punët ndërtimore duhej t’i mënjanonte gabimet.
“Vërejtjet kanë të bëjnë me dyshemenë dhe disa gabime tjera të vogla infrastrukturore. Është dhënë afat prej 5 ditëve që të sanohen gabimet të ndodhura gjatë ndërtimit të spitalit modular. Rrymë dhe ujë ka. Për sistemin e oksigjenit jemi në kontakt me firmën nga ku na thanë se për 2-3 ditë mund të vendoset. Sistemi ka ardhur deri tek Infektivja dhe mund të lidhet. Në rast se nuk dalin probleme të tjera, javën tjetër shpresojmë se do të vihet në përdorim”, deklaroi asokohe drejtori Ekonomik i Klinikës së Tetovës, Artan Etemi.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka caktuar mbledhje urgjente sot në ora 10:00, në të cilën do të diskutohet për ngjarjen tragjike të së mërkurës. Këtë e konfirmoi mbrëmë kryeministri maqedonas Zoran Zaev.
Ndërkohë është raportuar se janë angazhuar pesë prokurorë për të zbuluar shkaqet që sollën te zjarri.
“Prokuroria Publike Themelore Tetovë po kryen ekspertizë në vendin e ngjarjes në spitalin modular Kovid në Tetovë, ku sonte shpërtheu zjarr në të cilin ka viktima dhe numri po konfirmohet. Në ekspertizë janë përfshirë tre prokurorë nga Prokuroria Themelore Publike Tetovë, të cilëve u janë bashkuar dy prokurorë publikë nga Prokuroria Publike e Shkupit. Ekipi prej pesë prokurorëve, bashkë me ekipet të institucioneve përkatëse, i ndërmarrin të gjitha aktivitetet në drejtim të vërtetimit të shkaqeve për zjarrin e shkaktuar”, thanë nga Prokuroria Publike.
Më shumë se 30 zjarrfikës e shtatë makina u angazhuan për shuarjen e zjarrit.
Të lënduarit u dërguan në Shkup për trajtim.
Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, në mbrëmjen e të mërkurës nëpërmjet një postimi në Twitter tha se dhjetë persona kanë vdekur ndërsa numri i viktimave mund të rritet.
“Në Tetovë ka ndodhur një fatkeqësi që ka marrë shumë jetë. Për momentin janë konfirmuar dhjetë të vdekur nga zjarri, por numri mund të rritet”, shkroi Filipçe në Twitter.