Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Jep dorëheqje drejtori i Spitalit të Tetovës, Florin Besimi

Drejtori i Spitalit të Tetovës, Florin Besimi, ka dhënë dorëheqje pasditen e së premtes. 

Besimi ka shkruar në llogarinë në Facebook se dorëheqja e tij bëhet për shkak se ndjen përgjegjësi morale nga ngjarja tragjike në spitalin modular të Tetovës, ku si pasojë e shpërthimit të zjarrit humbën jetën shumë njerëz.

“Të nderuar, me dhimbje të pashuar për çdo viktimë dhe çdo familjarë të tyre, Ju informoj se për shkak të kësaj përgjegjësie morale që e ndjej, jap dorëheqje nga pozita e drejtorit të Spitalit Klinik në Tetovë. Pas kësaj ngjarje të tillë tragjike dhe fatkeqe, ky vendim është i pashmangshëm. Njëkohësisht, shpresoj që të përfundojë hetimi i plotë sa me shpejtë dhe të zbardhen arsyet e zjarrit në Qendrën modulare të Klinikës së Tetovës për pacientët me Covid-19. Dorëheqja ime nuk do t’i ngushëllojë familjet, por besoj se do të vendos një linjë morale të cilën të gjithë ne si shoqëri e kemi harruar”, ka shkruar Besimi.

Dorëheqje ka dhënë edhe drejtori ekonomik i Spitalit të Tetovës, Artan Etemi.

Si pasojë e zjarrit në spitalin modular të Tetovës mbrëmjen e së mërkurës, kanë vdekur 14 persona e janë lënduar 17 të tjerë.