Sot në Deçan është mbajtur panairi i bletës dhe gështenjës, i cili ka mbledhur kultivuesit e mjaltës dhe të gështenjës, me qëllimin të promovimit dhe shkëmbimit të përvojat ndërmjet tyre.
Hapja e panairit u bë nga kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili u shpreh se janë duke punuar për promovim sa më të mirë të komunës që ai drejton.
“Në Deçan jemi munduar këtë vit me e bë një promovim të vlerave dhe potencialit që Komuna e Deçanit e ka dhe po besoj që jemi në rrugë të mbarë për këtë, mirëpo ende si cikël nuk kemi arritur për ta përfunduar. Një diçka që më bën të besoj në perspektivën e këtij qyteti është destinimi jonë në rrugën, e cila i qaset pasurisë në rrugën që është Deçan- Plavë dhe që po besoj këtë vit, në rast se ne arrijmë me dinamikat që i kemi të parapërcaktuara edhe me një marrëveshje që e kemi me KEDS-in me i zgjidh disa kontekste që janë në qytetin e Deçanit. E vitin tjetër këto bjeshkë do të jenë edhe me rrymë”, u shpreh ai.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Qamil Mataj shprehu besimin se viteve të ardhshme ky panair do të jetë edhe më i madh.
“Në emër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural me lejoni t’ju përshëndes për këtë panair kaq të organizuar që e keni. Ndërsa, besoj që vitet tjera do të jetë më të begatshme sesa këtë vit”, tha ai.
Edhe
Më pak gështenja sivjet në Deçan, shkak temperaturat e larta
Në panair morën pjesë edhe një numër i bizneseve nga Shqipëria, kurse prezent ishte edhe nënprefekti i Qarkut të Kukësit Granit Kurmekaj, i cili tha se është një bashkëpunim i mirë që po bëhet në mes dy shteteve.
“Meqenëse jemi si zonë ndërkufitare edhe projektet duhet të jenë të përbashkëta dhe kjo është një ogur shumë i mirë për fermerët, për familjet, për ekonomitë familjare të secilës zonë që i kultivon. Këto projekte duhet të jenë të vazhdueshme, duhet të marrin më të mirën e mundshme nga eksperiencat që kemi pasur”, deklaroi ai.
Ndërkaq, për të prezantuar gështenjat e Tropojës ishte Shpend Nikoqi, kryetar i shoqatës “Gështenja e Tropojës”, i cili panairin e quajti si një arritje shumë te madhe.
“Kjo është një arritje shumë e mirë për shkëmbim përvoje, eksperience mes kultivuesve të gështenjës në Malësinë e Gjakovës dhe në territorin e Kosovës. Ne këtu kemi sjell një sasi të vogël të frutave të gështenjës nga Tropoja, është kultivari më i mirë, tradicional i ruajtur me kujdes ndër breza”, u shpreh ai.
Ndërsa, mjaltin e Deçanit në panair e prezantoi edhe Shaqir Dabiqaj nga kompania "Bleta-Sh", i cili bëri të ditur se është brezi i katërt në familje që merren me kultivimin e mjaltës.
“Sot prezantojmë mjaltë dhe molla, koha e shkurtër nuk kam marrë më tepër pasi që kam lloje të ndryshme të mjaltës. Por, nuk i kam marrë se koha e shkurtër katër pesë orë...Ideja për këtë panair është shumë e mirë me dashtë edhe më shpesh me na e mbajt, se është një ide shumë e mirë prezantimi në mes vete, pastaj çdo gjë që ekspozohet këtu janë prodhime vendore”, tha ai.
Edhe
Bletarja me mjaltë cilësore në malet e Deçanit
Ndryshe, panairi është organizuar nga Komuna e Deçanit në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, menaxhuar nga GLV "Gjeravica" në Deçan.
Panairi është mbështetur edhe nga Shoqata "Fuqizimi i qëndrueshëm i pyjeve private dhe të decentralizuara në Kosovë", ku ka ndihmuar me një shumë simbolike pronarët e grupeve prodhuese që zhvillojnë sektorin e bletarisë dhe gështenjës në Deçan.