Kryetari aktual i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, po synon mandatin e tretë qeverisës në këtë qytet. Në një intervistë për KosovaPress, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për të parin e Deçanit ka treguar mbi angazhimin dhe vizionin e tij për të ardhmen e Deçanit, duke prekur temat kyçe të infrastrukturës, zhvillimit ekonomik dhe sfidave në raport me institucionet qendrore.
Ai beson se qeverisja e tij ka sjellë rezultate të prekshme për qytetin, ndërsa thekson nevojën për përkrahje më të madhe institucionale në të ardhmen.
“Besoj se kemi argumentuar shumë, besoj se kemi dëshmuar shumë se jemi më të zotë në punë dhe kemi bërë zgjidhje tepër elokuente për këtë qytet pavarësisht sfidave, pavarësisht pengesave të shumta, mungesave buxhetore, trajtimit jo të drejtë dhe të kuptimit jo të drejtë të nivelit qendror në aspektin buxhetor, dhe ne kemi përfaqësuar ndoshta një brez që ka bërë revolucionin në këtë qytet në kuptimin e ndërtimit dhe të zgjidhjeve në infrastrukturë, e kemi kornizuar këtë qytet, kemi dhënë koncepte të qarta se ka duhet ta lëvizim këtë qytet dhe kemi dëshmuar se jemi tepër serioz. Nuk kam thënë jo ndonjëherë kur nuk është dashur të them, dhe kur kam thënë po, e kam mbajtur këtë po dhe nuk e kam mashtruar askënd”, deklaroi Ramosaj.
Ai tutje ka shprehur lidhjet personale që ka me këtë qytet, për të cilin thotë se ëndërron ta kthejë në një qytet më të mirë.
“Deçani është vendlindja ime, qyteti im, qyteti ku unë fëmijët e mi i dërgoj në shkollë, fëmijët e mi në këtë qytet marrin shërbimet shëndetësore, e përjetojnë këtë qytet përditë dhe unë jetoj përditë në këtë qytet, jetoj me ndjenjën e këtij qyteti dhe me ecjen përpara të këtij qyteti. Ëndërroj një qytet më të mirë, thjeshtë është qytet i paraardhësve të mi dhe do të jetë edhe qytet i pasardhësve të mi. Një qytet për të cilin kam shumë dashuri dhe jam shumë krenar me të. Qytet që ja vlen me mburrje të them me zë të lartë se jam nga qyteti i Deçanit”, tha Ramosaj.
Ramosaj ka njoftuar se dy prioritetet kyç janë infrastruktura dhe zhvillimi ekonomik.
“Ne tashmë i kemi vendosur prioritetet tona, prioritetet kanë të bëjnë fatkeqësisht ende me atë që quhet infrastrukturë dhe prioritetet tjera janë koncepte të zhvillimit ekonomik që janë të nivelit sektorial, ato që janë infrastrukturë që mund të i përfshij në fjalë janë kanalizimet e ujërave të zeza, trotuare, rrugë, ndriçim dhe gjëra të tilla që bëjnë më të lehtë jetën e qytetarëve, kurse koncepti tjetër i zhvillimit ekonomik është tendenca jonë, përkushtimi jonë ditor që të funksionalizojmë potencialin dhe resurset që ky qytet i ka, që kanë të bëjnë edhe me sektorin e turizmit, bujqësisë, shëndetësisë, arsimit, kulturës, rinisë, sportit dhe të trashëgimisë sonë që duhet të jenë të integruara njëra me tjetrën, mirëpo që ende për mua dominon sektori më i rëndësishëm i këtij qyteti i cili mbetet turizmi”, është shprehur ai.