Të premten pas orarit të rregullt të punës, tre anëtarët e Bordit të OSHP-së janë mbledhur sërish për të vendosur për një tender për barna. Muajin e kaluar pikërisht për këtë tender kishin vendosur që produktet duhej të kontraktoheshin pa certifikatat adekuate të kualitetit, efikasitetit e sigurisë. Pas takim eksperti i angazhuar në këtë rast është pyetur së paku pesë herë se çka është Autorizim Marketingu, por nuk kishte përgjigje. Ai ka kritikuar kryeministrin Kurti për një vendim të tij në lidhje me këtë çështje. E njëra nga anëtarët e Bordit ka thënë se nuk është çështje e saj se çka është Autorizim Marketingu
Të paktën pesë palë pyetje ia ka dërguar KOHA Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik prej datës 17 tetor, por nuk ka marrë përgjigje në asnjërën prej tyre.
Ky institucion është mbyllur plotësisht pas raportimit të KOHËS për një vendim i cili krijon precedent që barnat të kontraktohen edhe pa Autorizim Marketingu, dokument që garanton kualitetin, cilësinë dhe efikasitetin e barnave.
Për të njëjtën tender Bordi i OSHP-së u mblodh edhe të premten. Takimi zgjati të paktën 1 orë.
I pari nga objekti doli eksperti i angazhuar në këtë rast, Agim Sheqiri.
Në një bisede të gjatë për KOHËN, ani pse ka nxjerrë ekspertizë që rekomandon kontraktimin e barnave pa Autorizim Marketingu, ai nuk e di mirë se çka nënkupton ky dokument.
“Shumë qartë nuk ka produkt pa Autorizim se nëse është pa Autorizim Marketingu hyn në mënyrë ilegale”, ka thënë Sheqiri.
KOHA insistoi të marrë një përgjigje nga Sheqiri nëse do ta bëjë dallimin mes Autorizim Marketingu dhe lejes së importit.
“Ooo çka është dallimi unë nuk e di, veç a e ka Autorizim Marketingun a nuk e ka... Po ka pasë leje importi në bazë të udhëzimit ju ka leju. Dallojnë, janë dy sende. Ti je t’u më thanë si vetura me autobusin. Unë nuk e di. Nuk jam marrë me analizë. Është çështje e ... ata, Ministria e Shëndetësisë e ka stafin. Unë nuk kam mandat vendimmarrës, por të kisha pasë mandat sot ta kisha nënshkru, sepse është rregull”, ka theksuar Sheqiri.
Pas raportimit të KOHËS, kryeministri Albin Kurti ka nxjerrë vendim për anashkalimin e procedurave që të nxirret Udhëzim Administrativ, i cili tekstualisht ndalon që barnat të kontraktohen pa certifikatë të kualitetit, efikasitetit dhe sigurisë. Këtë Sheqiri e konsideron gabim.
“Autorizim Marketingu edhe leja e importit e ka leju deri kur JU e keni ndalu...Për mendimin tim ashtu po tingëllon (v.j) që ka gabu Albin Kurti”, ka thënë ai.
Pas Sheqirit, nga objekti ka dalë anëtarja e Bordit të OSHP-së, Kimete Gashi. Ajo është bërë sikur nuk di gjë për rastin.
“Për cilin rast e keni fjalën? Nuk e kuptoj, s’e di, nashta kemi vendosë”, ka deklaruar ajo.
Gashi herën e parë ka votuar që barnat të kontraktohen edhe pa Autorizim Marketingu. Edhe ajo është pyetur nga KOHA se çka është Autorizim Marketingu.
“Unë nuk jam e thirrme për këtë çështje. Eksperti ka kërkuar debat. Unë nuk jam e thirrme me ta komentu. Ndoshta kemi vendosë sot, ndoshta nuk kemi vendosë. Unë e shoh dosjen e tenderit dhe ligjin”.
Pas raportimit të KOHËS, njëra nga anëtaret Nita Bejta ka dhënë dorëheqje. Anëtari tjetër Agon Ramadani, që herën e parë së bashku me Bejtën kishin votuar kundër këtij precedenti, nuk ka marrë pjesë në këtë takim. Të pranishëm, siç ka mësuar koha, ishin kryesuesja Vjosa Gradina, Kimete Gashi e Vedat Potërqoi. Që të tre herën e parë votuan që barnat të blihen pa kontrollet e mjaftueshme.