Arbëri

“Gjykata e tenderëve” pro barnave pa certifikatë të cilësisë, paditet nga MSH-ja

Organi Shqyrtues i Prokurimit sërish ka nxjerrë vendim përmes së cilit lejon kontraktimin e barnave edhe nëse nuk i përmbushin kriteret e cilësisë. Ministria e Shëndetësisë ka akuzuar këtë institucion për rrezikim të jetës së qytetarëve dhe rastin e ka çuar në gjykatë.

Organi Shqyrtues i Prokurimit sërish ka vendosur që të kontraktohen barna që nuk i plotësojnë kriteret e cilësisë, efikasitetit e sigurisë.

Të mërkurën institucioni që njihet si “Gjykatë e tenderëve” ka vendosur kundër Ministrisë së Shëndetësisë që kishte anuluar tenderin për furnizim me insulina. Ky tender ishte anuluar për disa arsye, por kryesorja ishte që kompania më e lirë në tender nuk kishte Autorizim Marketing, dokument që dëshmon kualitetin, efikasitetin e sigurinë e barnave.

Sërish OSHP-ja ka zgjedhur që ekspertizën për këtë çështje të mos e bëjë një ekspert i fushës së barnave, por ia ka lënë në dorë Agim Sheqirit, që është ekspert financiar.

“Paneli shqyrtues konsideron se Autoriteti Kontraktues gabimisht ka aplikuar nenin 62 të LPP duke e anuluar aktivitetin e prokurimit në rastin konkret, pa ndërmarrë paraprakisht veprime në kuptim të dispozitave të cituara si më sipër të LPP-së dhe për rrjedhojë nuk është zbatuar në mënyrë të kërkuar një proces i drejtë për ekzaminimin, vlerësimin dhe krahasimin e ofertave”, thuhet në vendim të OSHP-së.

Ndër të tjera, OSHP është bazuar në një nen të Ligjit të Prokurimit Publik që flet për njohjen e certifikatave ndërkombëtare. Por, e ka injoruar Ligjin për Produkte dhe Pajisje Mjekësore që si kriter bazë për përdorimin e një bari precizon certifikatën e cilësisë.

KOHA të enjten i ka dërguar pyetje këtij institucioni. Në OSHP thanë se do t’i kthejnë përgjigjet brenda afatit ligjor, ani pse për përgjigje nuk ka afat të tillë.

Anëtarët e Bordit të OSHP-së janë zgjedhur në kohën e Qeverisë Kurti e për herë të parë në këtë mandat Ministria e Shëndetësisë ka bërë reagim publik kundër OSHP-së në lidhje me vendimin që lidhet me barnat.

Ministria, nëpërmjet një komunikate për media, ka thënë e vendimet e OSHP-së i kanë atakuar në gjykatë dhe ka theksuar se ato po e rrezikojnë jetën e qytetarëve.

“Për fat të keq, në këtë reformë të sigurimit të cilësisë jemi duke u ballafaquar me rezistencën e pakuptimtë të OSHP-së, e cila paradoksalisht ka mision që të mbrojë ligjshmërinë në prokurim publik e, në anën tjetër, me këto vendime është duke ndihmuar kompanitë farmaceutike, të cilat refuzojnë qe shumë vjet regjistrimin e barnave dhe rrezikojnë të krijojnë kaos farmaceutik në vend. Nuk ka asnjë arsyetim valid dhe të pranueshëm që qarkulluesit e produkteve mjekësore të mos pajisen me Autorizimin e Marketingut sipas kërkesave të ligjit, por edhe të çdo standardi për sigurinë e barnave”, thuhet në reagim të MSH-së.

Asnjëherë me parë nuk ka ndodhur që Organi Shqyrtues i Prokurimit ta konsiderojë Autorizim Marketingun e parëndësishëm, si kriter për blerjen e barnave.