Arbëri

Njëri deputet i VV-së kritikoi OSHP-në, tjetri e falënderoi që lejoi blerjen e barnave pa garanci të cilësisë

Organi Shqyrtues i Prokurimit sërish ka nxjerrë vendim përmes të cilit lejon kontraktimin e barnave pa përmbushur kriteret e cilësisë. Ministria e Shëndetësisë ka akuzuar këtë institucion për rrezikim të jetës së qytetarëve dhe rastin e ka çuar në gjykatë. Për këtë çështje është diskutuar edhe në Komisionin për Buxhet dhe Financa. Tre deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, pjesë të Komisionit për Buxhet e Financa, nuk kanë qenë të interesuar të premten që të diskutojnë rreth vendimit të OSHP-së për insulinat. Anëtarët e bordit të OSHP-së, që raportuan në këtë Komision, u përballën me pyetjet e kryetarit të Komisionit, Armend Muja, rreth mënyrës së marrjes së vendimit. Por, kolegët e tij nga VV-ja nuk ishin në një linjë me të dhe e braktisën mbledhjen

Organi Shqyrtues i Prokurimit sërish ka vendosur që të kontraktohen barna që nuk i plotësojnë kriteret e cilësisë, efikasitetit e sigurisë. Vendimi i institucioni që njihet si “Gjykatë e tenderëve” bie ndesh me Ministrinë e Shëndetësisë, e cila e kishte anuluar tenderin për furnizim me insulina. Ky tender ishte anuluar për disa arsye, e kryesorja ishte që kompania më e lirë në tender nuk kishte Autorizim Marketingu, dokument që dëshmon kualitetin, efikasitetin e sigurinë e barnave.

Përkundër këtij vendimi të MSH-së, OSHP-ja ka zgjedhur që ekspertizën për këtë çështje të mos e bëjë një ekspert i fushës së barnave, por ia ka lënë në dorë Agim Sheqirit, që është ekspert financiar.

“Paneli shqyrtues konsideron se Autoriteti Kontraktues gabimisht ka aplikuar nenin 62 të LPP-së, duke e anuluar aktivitetin e prokurimit në rastin konkret, pa ndërmarrë paraprakisht veprime në kuptim të dispozitave të cituara si më sipër të LPP-së dhe për rrjedhojë nuk është zbatuar në mënyrë të kërkuar një proces i drejtë për ekzaminimin, vlerësimin dhe krahasimin e ofertave”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Ndër të tjera, OSHP-ja është bazuar në një nen të Ligjit të Prokurimit Publik, që flet për njohjen e certifikatave ndërkombëtare. Por, e ka injoruar Ligjin për Produkte dhe Pajisje Mjekësore, që si kriter bazë për përdorimin e një bari precizon certifikatën e cilësisë.

KOHA të enjten i ka dërguar pyetje këtij institucioni. Në OSHP thanë se do t’i kthejnë përgjigjet brenda afatit ligjor, ani pse për përgjigje nuk ka afat të tillë.

Anëtarët e bordit të OSHP-së janë zgjedhur në kohën e Qeverisë Kurti e për herë të parë në këtë mandat Ministria e Shëndetësisë ka bërë reagim publik kundër OSHP-së në lidhje me vendimin që lidhet me barnat. Ministria, nëpërmjet një komunikate për media, ka thënë e vendimet e OSHP-së i kanë atakuar në gjykatë dhe ka theksuar se ato po e rrezikojnë jetën e qytetarëve.

“Për fat të keq, në këtë reformë të sigurimit të cilësisë jemi duke u ballafaquar me rezistencën e pakuptimtë të OSHP-së, e cila paradoksalisht ka mision që të mbrojë ligjshmërinë në prokurim publik, e në anën tjetër, me këto vendime është duke ndihmuar kompanitë farmaceutike, të cilat refuzojnë qe shumë vjet regjistrimin e barnave dhe rrezikojnë të krijojnë kaos farmaceutik në vend. Nuk ka asnjë arsyetim valid dhe të pranueshëm që qarkulluesit e produkteve mjekësore të mos pajisen me Autorizimin Marketingu sipas kërkesave të ligjit, por edhe të çdo standardi për sigurinë e barnave”, thuhet në komunikatën për media të MSH-së.

Asnjëherë me parë nuk ka ndodhur që Organi Shqyrtues i Prokurimit ta konsiderojë Autorizim Marketingun të parëndësishëm, si kriter për blerjen e barnave.

Ky vendim për insulina është diskutuar edhe nga anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa, të cilët kishin ftuar anëtarët e OSHP-së për raportim.

Vendimi ka nxitur përplasje midis anëtarëve nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi gjatë raportimit të anëtarëve të bordit të OSHP-së, kryetari i Komisionit, Armend Muja, shtroi pyetje rreth tij.

“Është diskutuar një çështje. Ka qenë mediatike sa i përket insulinës. E kanë diskutuar edhe në media. Ka qenë e trajtuar. Edhe ne jemi pyetur, por nuk kemi pasur përgjigje dhe kemi pritur një konkluzion”, ka thënë Muja.

Përgjigje u mundua t’i japë anëtarja Kimete Gashi, që është kryetare e panelit vlerësues për tenderin e insulinave. Ajo tha se janë respektuar procedurat ligjore derisa më pas u përqendrua te raportimi i KOHËS lidhur me çështjen.

“Javën e dytë (v.j. pas vendimit të OSHP-së), nuk e di çka u ba, veç është vetëm një gazetare... vetëm një, e cila është jashtëzakonisht e zëshme dhe jashtëzakonisht dezinformuese. Unë si kryetare e këtij paneli për këtë rast kam kërkuar nga anëtarët e bordit edhe jemi duke e diskutuar a me iniciu një rast për këtë gazetare? A me lajmërua në Komision (v.j. Kuvendin)”, është përgjigjur Kimete Gashi, anëtare e bordit të OSHP-së, që ishte edhe kryetare e Panelit për rastin e insulinave.

Atë e ndërpreu Muja, duke u kërkuar anëtarëve që të përqendrohen vetëm te përgjegjësitë e tyre në rastin e insulinave.

“Nuk është punë e juaja gazetarja...”.

Edhe kur fjalën e mori anëtari tjetër i OSHP-së, Vedat Potërqoi, u sfidua nga Muja.

“A e lejon ligji një produkt pa Autorizim Marketingu?”, e ka pyetur atë Muja.

“E ka lejuar udhëzuesi”, ka qenë përgjigjja e tij.

“A e lejon ligji?”, e ka pyetur sërish Muja.

“Ligji e ka leju se janë do raste. Jo të gjitha barnat kishin Autorizim Marketingu, edhe e kishin paraparë që kur kanë raste me produkte që nuk kanë Autorizim Marketingu, atëherë me u përdorë ky udhëzim”, i është përgjigjur ai.

“Por kjo është për produkte në sasi shumë, shumë të vogla”, i është kundërpërgjigjur Muja.

Deputeti i VV-së, Muja, më pas ka thënë se posedon informata që pretendojnë se familjarë të tre anëtarëve të bordit të OSHP-së, Vjosa Gradina, Vedat Potërqoi e Kimete Gashi, takohen me pronarë të kompanive në emër të tyre. Porse u kundërshtua nga të gjithë.

“Nuk po them që është e vërtetë, por kam pranuar informata të tilla”, ka pyetur ai.

“Jo, jo”, janë përgjigjur anëtarët.

E Eman Rrahmani, deputeti tjetër i Vetëvendosjes, e përgëzoi OSHP-në për vendimin.

“Unë ju përgëzoj për vendimin e marrë dhe shpresoj që të merrni edhe në të ardhmen vendime të tilla”, ka thënë ai.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, pyeti se cilat institucione nuk po ua zbatojnë vendimet, e përgjigjen e dha anëtarja Gashi, duke marrë shembullin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Jeta Statovci nga LVV-ja më pas pyeti se sa e ndjeshme është fusha e barnave dhe se përse duhet pasur kujdes me vendime. E pas kësaj ka ndërhyrë sërish Muja, duke i pyetur anëtarët e OSHP-së nëse do të mbanin përgjegjësi po qe se barnat pa Autorizim Marketingu shkaktojnë efekte të dëmshme te pacientët.

Në këtë u kundërshtua nga deputeti Rrahmani.

Ndërkaq deputeti Enver Haliti, pjesë e Vetëvendosjes, ka kërkuar nga Muja që ta ulë tonin e zërit dhe që të ndërpriten pyetjet rreth cilësisë së insulinave. Pas kësaj, Visar Korenica e Eman Rrahmani e lëshuan mbledhjen, përderisa në dalje nga salla deputeti Haliti i porositi anëtarët e OSHP-së që të mos përgjigjen në pyetje që lidhen me insulina.

“Nuk keni nevojë me u përgjigjë në këto pyetje”, ka thënë Haliti dhe së bashku me kolegët u largua nga salla.