Arbëri

OSHP-ja thotë se për cilësinë e barnave angazhoi ekspertin e vet e jo të fushës “për të kursyer buxhet”

OSHP

Nga vendimet e para me të cilat duhet të merret ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, është nënshkrimi ose jo i dy kontratave të cilat Organi Shqyrtues i Prokurimit ka obliguar MSH-në t’i nënshkruajë. Në të dy kontratat barnat janë pa Autorizim Marketingu, dokument që dëshmon cilësinë e barnave. Vitia ende nuk ka folur publikisht për këtë çështje e kryeministri Kurti ka paralajmëruar qëndrim për këtë çështje brenda një kohe të shkurtër

Dy vendime në tavolinë i ka ministri i ri i Shëndetësisë , Arben Vitia, që presin nënshkrimin e tij. Të dy vendimet janë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik që e detyrojnë Ministrinë e Shëndetësisë të kontraktojë barna edhe pa Autorizim Marketingu. Ky dokument dëshmon sigurinë, cilësinë e efikasitetin e barit.

Në rast se Vitia do t’i nënshkruajë këto kontrata, që sipas vendimeve të OSHP-së janë obliguese për t’i nënshkruar, do të bëhej ministri i parë që ka shmangur një obligim ligjor, siç është Autorizim Marketingu.

KOHA e ka pyetur të mërkurën kryeministrin Albin Kurti nëse ka qëndrim për vendimet e OSHP-së, që e lejojnë blerjen e barnave duke shmangur filtrin e cilësisë.

Kurti ka lënë të nënkuptohet se Qeveria, pavarësisht vendimeve nuk do të nënshkruajë ndonjë kontratë kundër interesit publik.

“Tash e kemi ministër sërish Arben Vitinë, është hera e tretë që e emëroj, dhe e treta e vërteta mbase. Andaj ne duhet ta mbrojmë interesin publik, atëherë kur ky nuk është rasti, për këtë çështje konkrete besoj që Ministria, Qeveria shumë shpejt do ta kenë qëndrimin e vet, por unë edhe një herë po e theksoj që po, vendime në përputhje me ligjin dhe rregullat, por gjithmonë në interes të publikut”, ka thënë Kurti.

Pyetja i është përsëritur nëse vendimet e OSHP-së janë në linjë ose kundër interesit publik, por Kurti e ka tejkaluar.

Për të njëjtën çështje KOHA ka provuar ta kontaktojë edhe ministrin Arben Vitia, por ai deri në këto momente të raportimit nuk është përgjigjur.

Të dy kontratat janë të vlerës së madhe financiare, gjë që nënkupton që duhet të nënshkruhen edhe nga sekretari, edhe nga ministri i Shëndetësisë.

KOHA javën e kaluar ka dërguar pyetje në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Janë pyetur nëse ka ndonjë vendim që nga ekzistenca e institucionit ku anashkalohet filtri i cilësisë për dhënien e një kontrate. Ky institucion i ka thanë KOHËS që janë të lirë të hulumtojnë secilin vendim në faqen e institucionit.

Ekspertiza në rastet e të dy lëndëve është kryer nga eksperti financiar Agim Sheqiri. OSHP-ja është pyetur se pse nuk kanë angazhuar ekspert që e njeh fushën e barnave dhe nëse për krejt këto procese ndonjëherë ka konsultuar ekspert të tillë. Pyetjen për informata, OSHP-ja e ka konsideruar si kërkesë të redaksisë se si të vendoset rasti.

“OSHP ka caktuar tamam ekspert profesional të prokurimit dhe tamam siç keni kërkuar: “për me e pa që a ka mundësi të tejkalohet Autorizim Marketingu. Mirëpo ju kujtojmë se me rastin e caktimit të ekspertëve, OSHP e ka detyrim ligjor që t’i jep prioritet caktimit të ekspertëve të brendshëm shqyrtues, duke u bazuar në ruajtjen e parasë publike dhe llogaridhënies që ekspertët e brendshëm shqyrtues kanë”, thuhet në përgjigjen e OSHP-së.

Ka rreth 2 muaj që KOHA vazhdimisht raporton për këtë çështje. Asnjëherë me parë nuk ka ndodhur që Organi Shqyrtues i Prokurimit ta konsiderojë Autorizim Marketingun e parëndësishëm si kriter për blerjen e barnave.