Arbëri

Në mungesë të deputetëve të pushtetit, për herë të katërt dështon konstituimi i Komisionit për rezervat shtetërore

Për të katërtën herë me radhë ka dështuar të bëhet konstituimi i Komisionit hetimor parlamentar në lidhje me “procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror”.

Sikurse herët e kaluara, edhe të premten deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë marrë pjesë në mbledhje.

Kryesuesi i Komisionit Rashiq Qalaj, ka thënë se është i papranueshme bojkoti i mazhorancës. Ai ka theksuar se do t’i drejtohet kryetarit të Kuvendit në lidhje me mungesat për katër herë me radhe të deputetëve të pushtetit.

“Sot paradite ka qenë një bojkot tjetër ku kanë qenë të ftuar nga sindikata e Policisë dhe tashmë po e shihni se edhe në këtë komision nuk janë prezentë. Kjo ka vetëm një shpjegim dhe ata kanë për synim t’i ikin përgjegjësisë për keqpërdorimet në MINT. Jemi duke ardhur të gjithë në Komision çdo ditë që të zbardhet e vërtetat për keqpërdorimet në rezervat shtetërore”, është shprehur Qalaj.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku, ka thënë se bojkoti po bëhet me urdhër të kryeministrit Albin Kurti, të cilit ajo i është referuar si diktator.

“Normal se nuk vijnë se e kanë urdhrin nga Albin Kurti sepse sekret shtetërore është vendi ku ruhen dhe jo nëse kanë ardhur apo jo. Këtë keqpërdorim nuk mund ta arsyetojnë dhe jam e bindur se mungesa janë me urdhër të diktatorit (Albin Kurti)”, u shpreh ajo.

Ky Komision pritet të hetojë procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla. / EO