Arbëri

Në mungese barnash nga Lista Esenciale, shteti obligohet t’i rimbursojë pacientët

Pacientë me kancer, prej muajsh janë detyruar të paguajnë vetë për t’i siguruar barnat e Listës Esenciale, e që në institucionin publik shëndetësor kanë qenë në mungesë. Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar iu desh më shumë se gjysmë viti për t’i kontraktuar ato. Kur mungesat nxisin detyrim që pacientët të blejnë barna, juristi Anton Nrecaj thotë se shteti duhet t’i rimbursojë qytetarët, e në të kundërtën thekson se ata kanë të drejtë të ushtrojnë padi ndaj institucionit

Tetë muaj iu deshën Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar t’i sigurojë ilaçet në mungesë për pacientët me kancer, e që janë përfshirë në listën esenciale qysh dhjetorin e shkuar.

Gjatë periudhës me mungesa, pacientët janë detyruar t’i blejnë barnat në barnatore private.

Një prej pacienteve, në kushte anonimiteti, ka thënë se për sigurimin e terapisë që e ndihmon ngadalësimin e sëmundjes, në bazë mujore është dashur të paguajë nga 500 euro.

Deri në fund të gushtit, sipas saj, ka shpenzuar 250 euro për ilaçin Palbociclib e po aq edhe për atë Faslodex.

“Unë qe 15-16 muaj jam duke e marrë, që e kam ble, por normal ka pacientë që janë duke e marrë kumedit sa kohë të gjatë. 15 muaj e kam siguruar vetë”, ka thënë ajo.

Në mesin e vitit, sipas të dhënave në faqen e prokurimit publik, SHSKUK-ja i nisi procedurat për blerje të barnave të tjera në mungesë, si Ribociclib, Vemurafenib, Cobimetinib, Trametinib e Dabrafenib.

Dy prej tyre, që janë për trajtimin e kancerit të lëkurës, pacientëve u kushtojnë rreth 6 mijë euro.

Produktet në listë të barnave esenciale, me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë duhet të mbulohen nga buxheti i shtetit.

Avokati Anton Nrecaj thotë se është obligim ligjor i institucioneve t’i sigurojnë këto barna, e në rast se ka mungesë, ai thekson se pacientët kanë të drejtë të kërkojnë rimbursim nga shteti.

“Përderisa me ligj janë të përcaktuara lista dhe barnat që do të duhej të ishin të qasshme për qytetarët, mungesa e tyre natyrisht do të bjerë barrë e përgjegjësisë së Ministrisë, edhe në situata të tilla atëherë natyrisht se do të duhej të gjendej një model, një situatë që përkohësisht qytetarët t’i mbulojnë shpenzimet nëse i njëjti ilaç, i cili është i paraparë të jepet nga lista esenciale, të gjendet në ndonjë farmaci private, në mënyrë që të bëhet rimbursimi i qytetarëve”, ka thënë Nrecaj.

E në rast të mosrimbursimit, ai thotë se pacientët kanë të drejtë ta padisin institucionin.

“... fillimisht duke iu drejtuar Ministrisë me kërkesat për rimbursim, me pastaj për t’iu drejtuar Gjykatës Themelore të Prishtinës me padi, për shkak të dështimit të listës esenciale, ilaçet që janë të përcaktuar me këtë listë. Natyrisht se është proces ligjor, por natyrisht secili qytetar do të duhet ta ndjekë këtë rrugë, në mënyrë që të kemi një vendim gjyqësor i cili konstaton që ka mungesë të barnave të LE dhe në mungesë Ministria do të duhej t’ua ofronte ose rimbursonte nëse i njëjti do të gjendej në barnatore private”, ka deklaruar avokati Nrecaj.

Sipas nenit 26 të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Banorëve në sistemin shëndetësor, çdo qytetar ka të drejtë të parashtrojë kërkesë për dëmshpërblim, mbështetur në përgjegjësinë civile të institucionit shëndetësor për dëmtimin e shëndetit të tij gjatë trajtimit mjekësor.  

Në SHSKUK e as në Ministri të Shëndetësisë nuk ofruan përgjigje për vonesat në furnizim. 

KOHA ka raportuar vazhdimisht për mungesa të barnave esenciale dhe për faktin që pacientët nuk rimbursohen për shpenzimet.