Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pacientët t’u drejtohen gjykatave kur barnat mungojnë ose kur presin për mjekim

QKUK

Bazuar në raportin vjetor të ankesave të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2025, ka rënie të numrit të pacientëve që janë ankuar, krahasuar me vitin paraprak

Bazuar në një hulumtim, gjysma e respondentëve kanë deklaruar se i dinë të drejtat e tyre si pacientë. Por, në Shoqatën e Pacientëve kanë thënë se shpesh kjo nuk shoqërohet edhe me guximin për t’u ankuar për shkelje të drejtash a parregullsi. Avokati Florim Shefqeti tregoi se pacientët mund të kërkojnë kompensim në rastet kur medikamentet që duhet siguruar falas nuk u ofrohen, ose kur u vonohen shërbimet.

Pacientët që ballafaqohen me mungesë të ilaçeve që janë pjesë e listës esenciale dhe që presin me vite për një shërbim apo intervenim kirurgjikal, janë inkurajuar të ndjekin rrugët ligjore për të kërkuar kompensim.

Avokati Florim Shefqeti ka numëruar numëron hapat që pacientët duhet t’i ndjekin.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Duhet të kërkojnë nga organi, klinika të cilado që e ka për detyrim ofrimin e një produkti, t’i konfirmohet me shkrim se nuk mund t’i ofrohet për shkak se nuk ekziston. Si rrjedhojë e saj, duhet të kërkojë pastaj në Ministri që të krijohet baza ligjore dhe faktike me prova që nuk i është ofruar një shërbim i tillë, një bar i tillë dhe pas së cilës do të duhej të kërkohej kompensim nga ana e gjykatës, përmes padisë”, ka thënë Shefqeti.

E, në Shoqatën e Pacientëve kanë thënë se bazuar në një hulumtim që kanë realizuar, rreth 50 për qind e qytetarëve kanë njohuri për të drejtat e tyre si pacientë. Por, sipas tyre, kjo nuk nënkupton se ata ankohen kur të drejtat u shkelen.

“Kjo njohja teorike që i dinë të drejtat e tyre nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe guximin apo kapacitetin për të ndjekur mandej rrugët institucionale dhe ligjore dhe shumë pacientë vazhdojnë të hezitojnë të raportojnë parregullsitë për shkak të mungesës së informacionit, të procedurave të qarta, për shkak të frikës që mund t’i kthehet në një formë të mirë apo edhe për shkak të mosbesimit në institucione”, ka thënë Agron Bytyqi, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Pacientëve.

Bazuar në raportin vjetor të ankesave të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2025, ka rënie të numrit të pacientëve që janë ankuar, krahasuar me vitin paraprak.

Ndërkaq, nga 73 ankesat e pacientëve të trajtuara deri në marsin e sivjetmë, vetëm 14 kanë rezultuar me masa.

Thirrje që pacientët t’u shkojnë deri në fund procedurave për t’i kërkuar të drejtat që u garantohen me ligj bëjnë edhe në Shoqatën e Pacientëve.

“Fillimisht i rekomandojmë që ata ta bëjnë ankesën, apo me parashtru ankesën në institucionin shëndetësor ku e kanë hasur parregullsinë. Nëse ata nuk janë të kënaqur me përgjigjen, atëherë u ndihmojmë dhe u rekomandojmë që të vazhdojnë me ankesën në komisionet përkatëse të odave të profesionistëve shëndetësorë, në inspektoratin shëndetësor, në institucionet përgjegjëse mbikëqyrëse apo edhe në Gjykata kur kjo është e nevojshme”, ka thënë ai.

E, avokati Florim Shefqeti ka theksuar se në rastet që kanë të bëjnë me pacientët dhe shëndetin, gjykatat duhet t’i trajtojnë lëndët me prioritet.

 “Meqë kemi të bëjmë me aspekt shëndetësor do të duhej ndoshta të trajtoheshin me prioritet, duke marrë parasysh që edhe sistemi gjyqësor është i ngarkuar me lëndë”, ka thënë Shefqeti.

Bazuar në legjislacionin në fuqi, pacientëve u mbulohen shpenzimet e trajtimit mjekësor në institucione private apo jashtë vendit, në rastet kur shërbimi nuk ofrohet në institucionet publike.

Por, në rastet kur mungojnë barnat esenciale, të cilat shteti duhet t’ua sigurojë falas pacientëve, ata detyrohen t’i blejnë vetë në barnatore private dhe nuk rimbursohen për to. E, në jo pak raste, kostoja e tyre është me mijëra euro.