Pas pezullimit të punës së bizneseve, Qendra për Punë Sociale në Lipjan gjatë kohës së fundit po përballet me një varg kërkesash nga qytetarët, të cilët shkaku i mungesës së kontratave të punës po i drejtohen kësaj qendre për të kërkuar asistencë sociale dhe pako ushqimore.
Ky institucion, të gjitha aplikacionet është duke i pranuar nëpërmjet platformës elektronike në mënyrë që të ruhet shëndeti i qytetarëve, ndërkohë gjatë ditëve të fundit janë regjistruar mbi 20 kërkesa të reja, raporton KOHA.
Në anën tjetër, familja pesëanëtarëshe e Afrim Arifit, tash e disa ditë po përballet me mungesë të gjërave ushqimore. Sipas Arifit, tashmë janë mbyllur të gjitha bizneset private dhe nuk po mund të gjejë punë. Ai po kërkon nga Komuna dhe nga Qendra për Punë Sociale që ta mbështesë me pako ushqimore dhe higjienike, derisa të kalojë pandemia.
Përfaqësuesit e bizneseve në Komunën e Lipjanit po kërkojnë nga Qeveria t’i mbështesë punëtorët derisa bizneset nuk e kanë një mundësi të tillë. Ali Stublla përfaqësues i një biznesi thotë se në kompaninë e tij janë të regjistruar mbi 100 punëtorë që tashmë kanë mbetur pa punë. Sipas tij, disa nga punëtorët nuk kanë pranuar me kohë të futen në procedura të kontratave për shkak se janë të regjistruar në asistencë sociale.
Në anën tjetër, nënkryetari i Komunës së Lipjanit, Fauz Xhemajli, ka thënë se janë duke e ndihmuar secilën familje që ka nevojë me gjëra ushqimore e higjienike gjatë kësaj periudhe të pandemisë. Sipas tij, deri tani janë ndihmuar gjithsej 500 familje, ndërkohë aksioni do të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim.
Në Komunën e Lipjanit janë të regjistruara gjithsej 1 mijë e 196 familje me asistencë sociale, mirëpo kjo shifër pritet të rritet edhe më shumë.