Arbëri

Prej vitesh Komuna e Lipjanit vazhdon t’i mbajë të mbyllura disa QMF

Banorët e disa fshatrave të Komunës së Lipjanit prej kohësh po kërkojnë rihapjen e tri institucioneve shëndetësore, të cilat janë mbyllur nga komuna shkaku i mungesës së stafit mjekësor. Në komunë kanë thënë se pas ikjes së disa mjekëve për specializim, komuna ka shpallur konkurse për plotësim të vendeve të punës.

Banorët e fshatit Smallush, Banullë dhe Babush të Komunës së Lipjanit prej vitesh po e vuajnë mungesën e mjekut familjar, derisa Komuna ua ka vendosur drynin objekteve shëndetësore.

Komuna po përballet me ikje të mjekëve për specializime për çdo vit e kjo është edhe arsyeja që këto institucione të mos rihapen asnjëherë.

Sipas banorëve, këto objekte i plotësojnë të gjitha kushtet teknike, por shkaku i mosfunksionimit të tyre ato kanë nisur të demolohen.

Këto objekte shëndetësore janë vizituar edhe nga një grup i anëtarëve të opozitës, të cilët kërkuan funksionalizimin e tyre.

“Qëllimi i kësaj vizite është pas pranimit të shumë ankesave nga banorët e këtyre lokaliteteve pasi që këto ambulanta nuk funksionojnë, andaj në këtë kohë është e domosdoshme ofrimi i shërbimeve për qytetarët. Duke e parë këtë neglizhencë të ekzekutivit ne si PDK do ta ngremë edhe në asamble, por krejt kjo po bëhet për qëllim dhe për të mirën e qytetarëve me qëllim që t’iu ofrojmë shërbim sa më cilësor”, ka thënë Hyzer Rizani, kryetar i PDK-së në Lipjan.

Drejtoresha për Shëndetësi në Komunën e Lipjanit, Merita Bytyqi, shpjegon arsyen se ato nuk janë funksionalizuar deri më tash.

“Janë 3 AMF, të cilat për momentin nuk janë duke punuar për shkak të specializimeve të mjekëve, por jo të specializimeve të planifikuara nga QKMF-ja, mirëpo ka pasur edhe vullnetarë të tjerë që kanë marrë specializime për lëmi të tjera”, është shprehur Bytyqi.

Ajo ka njoftuar se tashmë kanë nisur procedurat për pranimin e tre mjekëve, andaj së shpejti do të plotësohen këto vende të punës.