Komuna e Shtimes prej më shumë se një vjet po vazhdon t’i mbaj të mbyllura së paku dy Qendra të Mjekësisë Familjare në lokalitete që kanë më së shumti banor. Ndërkaq në disa objekte të tilla komuna ka reduktuar shërbimet mjekësore për të funksionuar me gjysmë orari. Kërkesa dhe reagime më të mëdha kanë nxitur rreth 700 familje të fshatit Petrovë.
Rreth 700 familje në fshatin Petrovë të Komunës së Shtimes prej më shumë se një vit po e vuajnë mungesën e mjekut megjithëse objekti i QMF-së i ndërtuar disa vjet më parë i plotëson të gjitha kushtet teknike për të funksionuar.
Me mbyllje të QMF-ve qeverisja lokale pati vazhduar edhe në fshatin Godanc nga vjen edhe kryetari i Komunës, Qemajl Aliu.
Ndërkaq me gjysmë orari të punës po funksionon QMF-ja në Pjetërshticë dhe në Muzeqinë.
Me gjendje më të rëndë po përballen banorët e Petrovës derisa ky fshat llogaritej ndër fshatrat më të mëdha dhe me largësi më të madhe nga qyteza.
“I ka më shumë se një vjet që vijnë mjekët herë pas here dhe ikin. Nuk po funksionon asgjë, mandej po duhet në ambulantë në Shtime të shkojmë për shërbime. Kemi pleq të rinj e të moshuar”, ka thënë Mufail Rashiti, banor i Petrovës.
“Jemi 4 mijë banor e ambulanta nuk funksionon, pse mos të funksionon, jemi në liri, mjek kemi, një pjesë e tyre po ikin nga vendi, pastaj edh infermierët po ikin, pse mos të hapen vende të punës me ardh këtu të punojnë siç duhet”, ka thënë Hilmi Hysenaj, banor.
Banorët kanë sqaruar se disa herë kanë kërkuar që objekti QMF-së të funksionalizohen.
“Kërkesa jonë është që të funksionoi objekti sepse jemi 700 familje, andaj ambulanta nuk po funksionon. Kërkojmë prej qeverisjes lokale që të marrin masa sepse i kemi mbi 500 nxënës në shkollë”, ka thënë Kadri Rashiti, banor.
Nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, drejtori për Shëndetësi në Komunën e Shtimes, Isa Haxhiu, ka sqaruar se së shpejti pritet të funksionalizohet ky objekt.
“QMF-të në Petrovë dhe Godanc janë të gatshme për të funksionuar në formë të Klinikave Digjitale, të përgatitura si donacion nga organizata Shqiptaro- Amerikane " Solaborate", por akoma nuk janë vënë në përdorim për shkak të vonesave të aprovimit të kyçjes në sistemin e SISH-it, nga Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë Haxhiu.
Banorët kanë kërkuar nga kryetari i Komunës, Qemajl Aliu, që t’i përmbushë premtimet e fushatës për funksionimin e të gjitha QMF-ve në Komunën e Shtimes.