Arbëri

Në Kuvendin e Prishtinës sot pati përplasje rreth raportit të auditimit për financat e vitit 2017

Emrin “Arbnor dhe Astrit Dehari” do ta mbajë rruga para hyrjes së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në Prishtinë.

Kjo pasi me propozim të asamblistit të Vetëvendosjes, Egzon Azemi, Kuvendi i Kryeqytetit ka marrë vendim për zëvendësimin e emrit të rrugës “Çlirimi”, me emrin e dy ish-aktivistëve të kësaj partie, ndërsa “Çlirimi” i është vendosur parkut në afërsi të rrugës “Bahri Fazliu”, raporton KTV.

Edhe pse propozimi mori përkrahjen e shumicës, për gati gjysmë ore u diskutua nëse duhej krijuar një komision për emërtimin e rrugëve apo vetëm të votohej ndryshimi.

Paraprakisht, fillimi i seancës kaloi me debat jashtë rendit të ditës dhe vetëm për miratim të rendit të ditës, asamblistëve iu deshën gati një orë e gjysmë.

Përplasje pati edhe kur asamblistët opozitarë thanë se gjetjet në raportin e auditimit për pasqyrat financiare për vitin 2017 dëshmojnë planifikimin e dobët dhe vonesat në kryerjen e punëve.

Por përfaqësuesi i ekzekutivit tha se ky është raporti më i mirë i auditorit ndonjëherë.

Në këtë mbledhje u zgjodhën edhe dy aksionarë në “Pallatin e Rinisë”. Mimoza Sylejmani nga PSD-ja dhe Shefqet Osmani i LDK-së janë anëtarët e rinj të komisionit të aksionarëve në ndërmarrjen që së fundmi iu kthye Komunës së Prishtinës.

Me mbështetje të plotë, asamblistët e miratuan edhe statutin e Muzeut të Prishtinës.