Në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ për kriteret dhe procedurat e emërimit të anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Shyqiri Bytyqi,e ka emëruar një anëtar të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC), shkruan sot Koha Ditore.
Anëtar të ri të KSHC-së, Bytyqi e ka emëruar më 2 korrik profesorin e Fakultetit Juridik, Osman Ismaili. Vendimi për emërim është bazuar në Udhëzimin Administrativ për kriteret dhe procedurat e emërimit të anëtarëve të KSHC-së, i nxjerrë më 7 maj 2018. Mirëpo, sipas këtij udhëzimi, MASHT-i duhet të publikojë ftesë publike për nominimin e anëtarëve të KSHC-së. Ministria e ka konfirmuar se nuk ka pasur thirrje publike për këtë pozitë.
“Osman Ismaili emërohet anëtar në Këshillin Shtetëror të Cilësisë së Agjencisë së Kosovës për Akreditim. Mandati i anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë së Agjencisë së Kosovës për Akreditim bëhet sipas udhëzimit administrativ ‘Kriteret dhe procedurat e emërimit të anëtarëve të KSHC/AKA’”, thuhet në vendimin për emërimin e Ismailit në Këshillin Shtetëror të Cilësisë. (Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)