Arbëri

Në Bujanoc mbahet panairi mbi bashkëpunimin multietnik në Serbi

Zëvendësdrejtori i misionit të Ambasadës britanike në Beograd, Dominik Otway, u ka ofruar mbështetje komuniteteve në jug të Serbisë, duke e vënë theksin në përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve dhe autoriteteve lokale për të parë se për çfarë kanë nevojë njerëzit atje.

“Ne jemi këtu sot për t'iu afruar komuniteteve në jug të Serbisë dhe për t'u ofruar atyre mbështetje, veçanërisht në fushën e përmirësimit të bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve dhe autoriteteve lokale dhe për të parë se çfarë kanë vërtet nevojë njerëzit. Fokusi është në grupet rinore, minoritetet, njerëzit me nevoja të veçanta”, tha Otway në adresimin para mediave në hapjen e Panairit të Shoqërisë Civile të mbajtur në sheshin e qytetit në Bujanoc.

Duke folur për ngjarjet në botë në dy vitet e fundit, për COVID-19 dhe luftën në Ukrainë, Otway theksoi se mesazhi kryesor është që komunitetet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin sa më shumë që të jetë e mundur, raportoi të premten Bujanovacke.co.rs.

“Të ndërtojnë qëndrueshmëri të ndërsjellë dhe një jetë më të mirë që ata mund të sigurojnë për veten dhe komunitetet e tyre”, tha ai duke shprehur krenari që Ambasada britanike punon me jugun e Serbisë.

Njëzet organizata vendore të shoqërisë civile dhe grupe joformale të qytetarëve nga Bujanoci, Presheva, Vranja si pjesëmarrës në projektin ALVED morën pjesë në panairin e sotëm, i cili për herë të parë mbahet në Bujanoc.

Kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, theksoi rëndësinë e ngjarjeve të tilla dhe mesazhin që u dërgohet të rinjve në një mjedis multietnik.

“Duke filluar nga viti 2020 e deri më sot, është bërë shumë, mbi të gjitha në aspektin e socializimit të të rinjve nga komuniteti shqiptar, serb dhe rom. Natyrisht për këtë ka kontribuar edhe bashkëpunimi ndërmjet organizatave të ndryshme vendore”, tha Arifi.

Kontributi i organizatave të shoqërisë civile në komunitetin lokal përmes realizimit të projekteve të ndryshme u diskutua edhe nga Tuba Avdiji, koordinatore në fushën e Iniciativave Civile.

“Në të gjitha aktivitetet tona të deritanishme kemi treguar se çfarë do të thotë dhe si duket aktivizmi qytetar. Ne treguam se si duket aktivizmi rinor dhe gjithë bukurinë e diversitetit dhe multietnicitetit të komunitetit tonë. Dhe ne kemi shembuj të mirë të bashkëpunimit ndëretnik”, theksoi Avdiji.

Panairi i sivjetshëm i Shoqërisë Civile nën sloganin "Zërat Lokal" është pjesë e projektit ALVED (Amplifying Local Voices for Equitable Development), i cili mbështetet financiarisht nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.

Projekti ALVED zbatohet nga Iniciativa për Ndryshim Paqësor dhe PIN, në partneritet me Iniciativat Qytetare, Rrjetin Peer të Edukatorëve PEN dhe OJQ Aktiva.