Arbëri

Në 7-vjetorin e formimit të ushtrisë kërkohet shtimi i investimeve në të

14 dhjetori i 2018-s është vlerësuar si ditë historike për Kosovën. Para shtatë vjetësh, Kuvendi miratoi një pako me ligje që mundësoi transformimin e FSK-së në ushtri për një fazë 10 vjeçare. E në kohën kur edhe NATO-ja po e rrit gatishmërinë për sulm nga Rusia, ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, ka thënë se Kosova duhet t’i rrisë investimet në Forcën e Sigurisë së Kosovës përballë rrezikut nga Serbia

Si ditë historike është vlerësuar 14 dhjetori i 2018-s, kur Kuvendi i Kosovës miratoi ligje të rëndësishme që i hapën rrugë transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri. 

Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, thotë se Kosova ka bërë hapa të mirë, derisa është në fazën e tretë të transformimit që implikon kosto më të mëdha. 

“Pasi që nuk u bë në vitin 2014 dhe ishim të gatshëm, plani zhvillimor dhe rishikimi që u bë në atë kohë, atëherë më 2018-n, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dhanë dritën e gjelbër që të shkonim me ligje e jo me ndryshime kushtetuese. Ky ishte një moment historik për Kosovën, sepse filloi ndërtimi i forcave të armatosura të Kosovës dhe njëkohësisht edhe zhvillimi i saj. Ne sot jemi në fazën e fundit, sepse plani zhvillimor ka pasur tri faza”, ka thënë Kastrati.

Por, situata e sigurisë në Evropë nuk është ajo e 2018-s. 

Sekretari Mark Rutte së fundi ka deklaruar se NATO-ja është caku i radhës i Rusisë, duke bërë thirrje për gatishmëri ushtarake. 

E ish-komandanti Kastrati thotë se përballë pasigurisë së këtillë, Kosova duhet ta përshpejtojë tranzicionin e FSK-së duke përfshirë furnizimin me armatim e ndërtimin e fabrikave të municionit. 
Kastrati thotë se blerja e mbrojtjes kundërajrore, artilerisë e helikopterëve, si dhe  kompletimi i radhëve me 5.000 pjesëtarë aktivë së paku dhe 3000 rezervistë janë disa prej proceseve që Kosova duhet përfundojë në tre deri katër vjetët e ardhshëm. 

“Për shkak të situatës së përgjithshme globale të sigurisë do të duhej që Qeveria në të ardhmen, pavarësisht se kush vjen, ta vendosë si një prej prioriteteve ndërtimin dhe kompletimin e kapaciteteve operacionale të forcave të armatosura. Arsyeja pse e them këtë se kërcënimet janë të vazhdueshme me një luftë të përgjithshme në Evropë dhe lufta Rusi-Ukrainë nuk ka të ndalur dhe për këtë arsye ne nëse ndodh diçka kuptohet se Kosova do të jetë e rrezikuar nga armiku ynë i përhershëm që është Serbia dhe për atë arsye ne do të duhej që të investonim shumë më shumë dhe shumë më shumë t’u japim prioritet forcave tona të armatosura”, ka thënë ai. 

Zëvendësministri në detyrë i Mbrojtjes, Shemsi Syla, në 7-vjetorin e votimit të pakos së ligjeve për FSK-në ka thënë se ishte me fat dhe i privilegjuar që mori pjesë në aë votim, tek e ka quajtur atë datë - të shenjtë e historike. 

Ai ka shprehur pritjen që buxheti për mbrojtjen të rritet.  

“Është e vërtetë se transformimi përfshin blerje të rëndësishme dhe të kushtueshme - nga armatimi i avancuar deri te ngritja e kapaciteteve industriale. Por planifikimi ynë bazohet në qëndrueshmëri financiare, jo në veprime të nxituara. Për vitin e ardhshëm ne presim që buxheti i mbrojtjes të mbetet në nivel të përqindjes së PBB-së (Prodhimit të Brendshëm Bruto) të planifikuar, pra të lëvizë brenda parametrave që janë konsultuar me Ministrinë e Financave dhe partnerët tanë. Shifra përfundimtare publikohet zyrtarisht me buxhetin vjetor, por parimi është i qartë: investimet në mbrojtje do të rriten, por pa e cenuar stabilitetin financiar të shtetit. Transformimi nuk është vetëm çështje pajisjesh - është një proces i ndërtimit të kulturës ushtarake, i modernizimit të doktrinës dhe i ngritjes së partneriteteve strategjike. Në këtë drejtim Kosova është duke ecur në rrugën e duhur”, ka thënë Syla.

Ai ka theksuar se disa pajisje janë blerë, është rritur numri i pjesëtarëve aktivë dhe se është avancuar korniza ligjore, planifikuese dhe buxhetore për të mbështetur një forcë moderne tokësore.

Transformimi i FSK-së është planifikuar të zgjasë 10 vjet.