Ndërtimet pa leje e në tokë të shtetit janë bërë problematike në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, edhe pse kjo zonë mbrohet me ligj. Institucionet thonë se nuk kanë infrastrukturë të mjaftueshme ligjore për ta mbrojtur parkun nga ndërtimet ilegale, përderisa aktivistët vlerësojnë se miratimi i Planit Hapësinor është vonuar qëllimshëm.
Mbi 20 shtëpi e vila janë ndërtuar pa leje e pa pronësi mbi tokën në Bjeshkën e Lumbardhit. Edhe pse më 2012, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, ky ligj nuk ka krijuar kurrfarë garancie për mbrojtjen e tij.
Ndonëse të gjitha ndërtimet janë pa leje dhe pa kërkesa për leje, deri më tash, nuk ka ndodhur asnjëherë që ndonjë prej tyre të rrënohet. Ndërtime të tilla nuk ka vetëm në atë që quhet Bjeshka e Lumbardhit, por edhe nëpër shumë hapësira të tjera brenda Parkut Nacional. Fatmir Morina, drejtor në Zyrë për Administrimin e Parkut, thekson mungesa e një Plani Hapësinor për “Bjeshkët e Nemuna”, i ka kufizuar kompetencat e tyre që ta mbrojnë parkun nga ndërtimet ilegale dhe deri në miratim të këtij plani, masat e vetme do të jenë kallëzimet penale për ndërtuesit.
Drejtori i Institutit për Planifikim Hapësinor, Luan Nushi, ka thënë se me Planin Hapësinor do të rregullohet situata hapësinore në Park, duke përfshirë edhe ndërtimet.
“Sa u përket objekteve pa leje, ato do të jenë subjekt i ‘Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje’, por që në rastin e PK ‘BN’, aprovimi i Planit Hapësinor do ta lehtësojë shumë trajtimin e tyre, duke ulur në minimum arsyet për rrënim”.
Edhe
Ndërtime pa leje, pa pronësi e pa kritere në “Bjeshkët e Nemuna”
Por, Ardian Nrecaj nga Grupi për Mbrojtjen e Ujërave dhe Mjedisit po e sheh si të qëllimshme uljen e mundësive për rrënim të objekteve pa leje.
“Këto ndryshim plotësime të legjislacionit janë duke u bërë për t'i favorizuar disa persona të caktuar dhe disa biznese të caktuara në atë zonë”, ka thënë Nrecaj.
Servet Spahiu, Drejtor i Departamentit për Planifikim Hapësinor, Ndërtim dhe Banim ka thënë se këto ndërtime pa leje do të futen në “Listën e Pritjes” dhe më pas, do të trajtohen sipas programeve dhe kritereve të veçanta të cilat ende nuk janë hartuar nga Ministria.
“Përfshirja në listën e pritjes e një ndërtimi nuk e paragjykon vendimin përfundimtar për trajtimin e atij ndërtimi. Pra në ketë fazë nuk mund të paragjykojmë se cilat do të jenë ato kriteret për trajtimin e ndërtimeve pa leje që gjenden në parqet kombëtare”, ka thënë Spahiu.
Sipas aktivistëve, shqetësuese janë edhe gjobat e vogla që u janë dhënë pronarëve të cilat sipas tyre, janë në kontradiktë të madhe me dëmet e pariparueshme që kanë sjellë ndërtimet.
Edhe
Për shkak të mungesës së planit hapësinor në “Bjeshkët e Nemuna”, s’legalizohen mijëra objekte
“Ne si organizatë jemi të shqetësuar me ndërtimin e hoteleve të ndryshme të cilat janë ndërtuar pa leje dhe pastaj nuk janë rrënuar por faktikisht janë gjobitur pronarët e tyre dhe kjo çështje ka kaluar me kaq. Kjo përbën një precedent të rrezikshëm për ndërtuesit tjerë të cilët mund të bëjnë të njëjtën”.
Plani Hapësinor ka më shumë se 4 vjet që është duke u hartuar. Me miratimin e tij, autoriteti përgjegjës për lëshimin e lejeve do të jetë Ministria, përveç ndërtimeve në vendbanime, për të cilat përgjegjësia maksimale do t’u takojë komunave.