Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“Ndërtimet në zonat e mbrojtura sipas standardeve të BE-së”, PE miraton raportin për Shqipërinë

Parlamenti Evropian

Parlamenti Evropian ka miratuar të martën rezolutën mbi raportin për Shqipërinë për vitin 2025, me 483 vota pro, duke sinjalizuar mbështetje të qartë politike për procesin e integrimit evropian të vendit.

Teksa shumica e draftit ishte i njëjtë me atë që ishte miratuar pak kohë më parë në Komisionin e Jashtëm, eurodeputetët u vunë përballë dy amendamenteve për ndërtimet në zonat e mbrojtura, nisur edhe nga zhvillimet e fundit në Zvërnec dhe deklaratat për investimin në Sazan.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Fillimisht deputetët e Parlamentit Evropian rrëzuan një amendament nga shtatë eurodeputetë të të majtës, që përfshin deputetë radikalë, të cilët donin të përfshinin në variantin përfundimtar të rezolutës ngritjen e shqetësimit për marrëveshjen e qeverisë shqiptare me kompaninë Affinity Partners të Jared Kushner.

“Parlamenti Evropian shpreh shqetësime, për rrjedhojë, lidhur me marrëveshjen e qeverisë me kompaninë Affinity Partners të Jared Kushner për zhvillimin e një projekti resorti luksoz në Sazan dhe në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës; bën thirrje për mbështetje të hetimit kundër korrupsionit që aktualisht po zhvillohet nga SPAK në këtë kontekst; kërkon që e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore të garantohet kundër shtypjes nga kompani private të sigurisë, siç ndodhi gjatë përplasjeve të ndodhura në fund të majit 2026”, thuhet në amendamentin e rrëzuar në mbledhjen e deputetëve.

Pas këtij momenti, 13 eurodeputetë të grupit të të gjelbërve, propozuan një amendament, i cili ndër të tjera kërkon edhe vendosjen e një moratoriumi për lejet e ndërtimit në zonat e mbrojtura deri në shfuqizimin e ligjit për këto zona.

“Parlamenti Evropian u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të dhënies së lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura derisa dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura të jenë shfuqizuar, bazuar në një kërkesë të kahershme të Komisionit dhe Parlamentit dhe në përputhje me kriteret përmbyllëse të Kapitullit 27, si dhe derisa të sigurohet përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës”, thuhet në amendamentin e pranuar.

Amendamenti i pranuar

46a. Shpreh shqetësim serioz se zhvillimet e vazhdueshme brenda zonës së mbrojtur natyrore të Vjosës tregojnë pasojat praktike të këtyre ndryshimeve ligjore dhe rreziqet që ato sjellin për zona me vlera të njohura ekologjike; ndjek nga afër protestat paqësore të vazhdueshme në këtë drejtim; u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të dhënies së lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura derisa dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura të jenë shfuqizuar, bazuar në një kërkesë të kahershme të Komisionit dhe Parlamentit dhe në përputhje me kriteret përmbyllëse të Kapitullit 27, si dhe derisa të sigurohet përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës; nënvizon se çdo projekt në këtë zonë duhet t’i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis, plotësisht në përputhje me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile./ TopChannel