Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

BE-ja i quan të papranueshme ndryshimet në Ligjin për Specialen

Bashkimi Evropian Kosova

Foto: Driton Paçarada

“Do të doja të jem po ashtu e qartë se ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara nga ana e Kosovës shkojnë kundër obligimeve fundamentale të Kosovës ndaj BE-së. Dhe kjo është e papranueshme”, ka thënë të hënën Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka kritikuar të hënën Kosovën për vendimin në Kuvend që të ndryshohet Ligji për Gjykatën Speciale, duke e quajtur atë të papranueshëm dhe në kundërshtim me normat ndërkombëtare të sundimit të ligjit. 

Ajo është deklaruar për këtë çështje në prag të nisjes së takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së, që po zhvillohet në Luksemburg, e ku zgjerimi është një prej temave të diskutimeve.

“Do të doja të jem po ashtu e qartë se ndryshimet e ligjit për Dhomat e Specializuara nga ana e Kosovës shkojnë kundër obligimeve fundamentale të Kosovës ndaj BE-së. Dhe kjo është e papranueshme”, ka thënë Kos.

Sipas saj, rregullat nuk mund të ndryshohen kur procesi po zhvillohet ende.

“Të ndryshosh rregullat në kohën kur proceset në gjykatë janë në vazhdim e sipër është kundër çdo standardi ndërkombëtar të sundimit të ligjit”, ka thënë komisionerja e BE-së për Zgjerim.

Të martën mbrëma, deputetët votuan edhe në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, e që ishte nismë e PDK-së pas dënimit të Hashim Thaçit, Jakup Krasniqi, Kadri Veselit e Rexhep Selimit.

Ata janë dënuar në shkallë të parë me gjithsej 81 vjet burgim. Ndër të tjera, me ndryshimet ligjore parashihet që shkalla e tretë për këtë rast të zhvillohet në Kosovë.

E Kos ka thënë po ashtu të hënën, se mesazhi për rajonin është i qartë: procesi i zgjerimit po ecën përpara dhe, nëse kandidatët ecin prapa, kjo nuk është rruga e duhur, sepse në këtë mënyrë nuk do të bëhen anëtarë të BE-së.

Duke folur në përgjithësi për procesin e zgjerimit, Kos ka thënë se për vendet në këtë proces është e domosdoshme të respektojnë sundimin e ligjit dhe të përshtaten me politikën e BE-së, edhe në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë.

“Siguria është duke u bërë gjithnjë e më e rëndësishme për Bashkimin Evropian dhe kjo është ajo që do të diskutojmë sot me ministrat. Dhe kjo është gjithnjë e më e rëndësishme edhe për procesin e zgjerimit. Nuk mund t’i ofrojmë vetes që të pranojmë vende të reja anëtare të cilat nuk e rrisin sigurinë tonë”, ka thënë Kos.

Të martën, Mali i Zi dhe Shqipëria do të mbyllin kapituj të rinj në procesin e negociatave të anëtarësimit, ndërsa Moldavia dhe Ukraina do të hapin disa kapituj. Këto katër vende janë të vetmet që po lëvizin në procesin e zgjerimit, ndërkohë që Kosova, Bosnjë-Hercegovina, Serbia dhe Gjeorgjia janë prej vitesh të bllokuara në këtë proces, pa bërë asnjë hap përpara.