Pas njoftimit të së martës mbrëma të KOSTT-it se reduktimet e rrymës janë të pashmangshme, në një tjetër të dhënë të mërkurën pasdite është bërë e ditur se situata është stabilizuar. E një pjesë e banorëve të Prishtinës dhe të disa komunave të tjera janë këshilluar që të mos e përdorin ujin e ujësjellësit për pije
Mëngjesi i së mërkurës e ka kthyer Vezir Selimin 25 vjet prapa, në kohën kur Kosova është përballur me mungesë të energjisë elektrike dhe të ujit të pijshëm.
Ai është ankuar se edhe në vitin 2026, qytetarëve nuk po u ofrohen shërbimet bazë për jetesë.
“Një kohë e gjatë ka kaluar edhe ne prapë jemi me këto probleme… furnizim me ujë, me rrymë. Ne nuk kemi çka të bëjmë, pushteti duhet me këqyrë. Sot e dëgjova që uji i Badocit nuk është për pije, deri sot unë nuk e kam dëgjuar, por ne e kemi përdorë ujin qe një javë ditë ose 10 ditë. Herë vinte, herë u ndalte, herë i trubullt”, ka theksuar Selimi.
E mërkura ka nisur me reduktime të rrymës në gjithë vendin. Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT) të martën mbrëma ka njoftuar së është i detyruar t’i aplikojë reduktimet, e në një njoftim tjetër të mërkurën pasdite ka bërë të ditur se situata është stabilizuar.
“KOSTT njofton opinionin publik se gjendja në sistemin elektroenergjetik është normalizuar dhe stabilizuar pas implementimit të masave të koordinuara për balancimin e ngarkesës dhe përmirësimin e parametrave të furnizimit me energji. Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka ndërmarrë veprime të shpejta dhe efikase duke rritur prodhimin vendor të energjisë elektrike, një masë kyç që ka garantuar stabilitetin dhe vazhdimësinë e furnizimit, si dhe integritetin e sistemit”, kanë njoftuar në KOSTT.
Këto telashe e kanë kthyer në kohë edhe qytetarin Bekim Muqolli.
“Po na i kujton ato vitet kur nuk kishim rrymë me nga 7-8 orë, edhe ujë po ashtu. Edhe atëherë ka qenë e vështirë, edhe tash është e vështirë, megjithëse tash është në intervale më të shkurta, por megjithatë të lë keq. Nevojat e shtëpisë janë edhe uji e edhe rryma”, ka theksuar Muqolli.
Ai dhe qytetarët e tjerë kanë telashe edhe me ujin e pijshëm.
Reshjet e shumta të shiut që kanë rënë gjatë ditëve të fundit kanë bërë që niveli i ujit në Liqenin e Badocit të rritet ndjeshëm dhe për pasojë të turbullohet.
Arjeta Mjeku, e cila është zëdhënëse në kompaninë rajonale të ujësjellësit “Prishtina”, ka thënë se uji nga Badoci aktualisht nuk rekomandohet për pije.
“Do të zgjasë vetëm dy-tri ditë niveli i lartë i turbullirës dhe do të kthjellet. Uji është i papijshëm, por mund të vlohet pasi është veç i turbulluar dhe nuk ka vlerë të shtuar të manganit sikur herën e kaluar”, ka theksuar ajo.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), me ujë jashtë normave për pije po përballen edhe Malisheva, Vitia, Hani i Elezit, disa zona në Gjakovë dhe disa zona në rajonin e Pejës.