Kërkesat për rikthim të stabilitetit institucional, vazhdim të rrugës evropiane dhe thellim të partneriteteve ndërkombëtare kanë dominuar në letrat e urimit që ka marrë presidentja e re e Kosovës, Justina Shiroka-Pula. Ajo është uruar për postin më të lartë në vend nga Shqipëria, Sllovenia, Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe shtete anëtare të bllokut
Me urime për stabilitet institucional, bashkëpunim dhe avancim në rrugën evropiane është pasuar zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës presidente e Kosovës.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, të mërkurën ka uruar Shiroka-Pulën për zgjedhjen në krye të shtetit, duke vënë theksin te rrugëtimi i përbashkët i dy shteteve drejt së ardhmes evropiane.
“Urime të përzemërta znj. Justina Shiroka-Pula për zgjedhjen presidente e Republikës së Kosovës! Në çdo sfidë dhe në çdo hap drejt së ardhmes evropiane, Shqipëria dhe Kosova do të jenë bashkë”, ka shkruar Begaj në urimin e tij.
E, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një postim në rrjetin social “X” Rama ka thënë se zgjedhja e Shiroka-Pulës ka ardhur në një kohë sfiduese për Kosovën, rajonin dhe vetë Evropën.
“Urime të përzemërta akademikes së mirënjohur, zonjës Justina Shiroka-Pula, për zgjedhjen Presidente e Republikës së Kosovës, në një fazë sfiduese për Kosovën dhe në një kohë sfiduese për krejt rajonin tonë e për vetë Evropën. Mbarësi e sukses për ju dhe Kosovën zonja Presidente”, ka shkruar ai.
Edhe presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, e ka uruar Shiroka-Pulën. Në një postim në platformën X, Pirc Musar ka folur për bashkëpunimin që pret mes të dyjave.
“Urimet e mia të sinqerta për Justina Shiroka Pulën për zgjedhjen e saj presidente e Republikës së Kosovës. Pres me padurim bashkëpunim të mirë dhe konstruktiv ndërmjet Sllovenisë dhe Kosovës, si në nivelin bilateral, ashtu edhe në kuadër të Procesit Brdo-Brioni. Ju uroj çdo sukses në mandatin tuaj të rëndësishëm”, ka shkruar ajo.
Për postin e ri, Shiroka-Pulën e kanë uruar edhe diplomatë të akredituar në Prishtinë.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, i ka shprehur urimet e tij Shiroka-Pulës, duke theksuar rëndësinë e rikthimit të stabilitetit politik dhe institucional në Kosovë.
“Me shpresën për ripërtëritjen e stabilitetit politik dhe institucional, pres me kënaqësi të punoj me Presidenten Shiroka Pula, institucionet e Kosovës dhe spektrin e gjerë politik për ta afruar vendin më pranë Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Schuebel.
Ai ka theksuar se mbështetja e Bashkimit Evropian për Kosovën do të vazhdojë të jetë e palëkundur.
Ndërkaq, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i ka uruar presidentes së re sukses në detyrën e saj, duke theksuar rëndësinë e këtij posti.
“Urimet e mia të përzemërta për Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen e saj Presidente e Republikës së Kosovës. I uroj çdo sukses në këtë rol të rëndësishëm”, ka shkruar ambasadori britanik.
Hargreaves ka thënë se pret të punojë me Shiroka-Pulën dhe të gjitha institucionet e Kosovës për thellimin e partneritetit mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës.
“Pres me kënaqësi të punoj me Presidenten dhe të gjitha institucionet e Kosovës për ta thelluar partneritetin tonë të kahershëm, ndërsa Kosova ecën drejt një të ardhmeje shumëetnike, demokratike dhe euroatlantike”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph në letrën e tij drejtuar presidentes, ka thënë se Gjermania dhe Kosova gëzojnë partneritet të fortë dhe të qëndrueshëm.
Ai ka thënë se mezi presin të punojnë bashkë për të çuar përpara agjendën evropiane të Kosovës.
“Gjermania dhe Kosova gëzojnë një partneritet të fortë dhe të qëndrueshëm. Ky bashkëpunim i ngushtë ka luajtur një rol kyç në promovimin e stabilitetit dhe zhvillimit në rajon. Mezi pres të punoj me ju për të çuar përpara agjendën evropiane të Kosovës”, thuhet në letrën e urimit, të dërguar nga ambasadori Rudolph.
Shiroka-Pula u zgjodh presidente në seancën e nisur në mbrëmjen e 6 tetorit, e që përfundoi pak minuta pas mesnatës.