Qeveria e Kosovës ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Financave për të ndarë 7 milionë euro për zbatimin e pagesave të njëhershme me nga 100 euro për punonjësit e ndërmarrjeve publike dhe për studentët.
Po ashtu këto mjete do të jenë edhe për zbatimin e masës për subvencionim të kredive investive.
Ekzekutivi me pakon e fundit për përballje me inflacionin ka paraparë ndarjen e shtesave direkte për punëtorët e sektorit publik me nga 50 euro nga muaji shtator, të ndërmarrjeve publike me 100 euro të njëhershme, si dhe pensionistët dhe studentët me nga 100 euro të njëhershme.
Në mbledhjen e Qeverisë është aprovuar edhe kërkesa për ndarjen e mjeteve buxhetore për mbulimin e mungesës së mjeteve në kategorinë e shpenzimeve “pagesa dhe shtesa” për muajin nëntor.
Po ashtu Qeveria ka ndarë 1.120.100 euro për pagat e specializantëve me vetëfinancim për periudhën shtator-dhjetor të vitit 2022.