Vetëm 3 nga Qendrat e Mjekësisë Familjare të Prishtinës deri më tani kanë qenë të kyçura në rrjetin e ngrohjes nga “Termokosi”.
Me fillimin e sezonit të ngrohjes gjatë kësaj jave, nga ky vit, nga rrjeti i ngrohtores pritet të përfitojë edhe një mjekësi familjare.
Bëhet fjalë për Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen e “Muhaxherëve”, ku sipas komunës edhe pse kishte sistemin ngrohës vetëm 10 metra larg objektit, deri më tani nuk është ngrohur nga avulli i KEK-ut.
Drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku, thotë se në këtë mënyrë do të evitohet ndotja e ambientit që është bërë deri më tani nga kjo qendër që ngrohjen e kishte me naftë.
“Kanë filluar punimet dhe javën e ardhshme do të fillojë ngrohja përmes Termokosit, kjo QMF do të jetë pjesë e ngrohjes. Kemi realizuar një stabilitet në ngrohje dhe është më e shëndetshme sesa ngrohjet tjera. Gjithashtu shpenzimet janë më të vogla dhe dëmet po ashtu sepse deri më tani ka qenë me naftë dhe paramendoni se çfarë ndotje ka bërë në qendër të Prishtinës”, tha Sadiku.
Megjithatë, ndotja e ambientit do të vazhdojë përmes institucioneve të tjera mjekësore.
Nga Qendrat dhe Ambulancat e tjera të Mjekësisë Familjare, vetëm tri nga to ngrohjen e kanë me energji elektrike, ndërsa të tjera me naftë dhe dru.
Përderisa të hënën ka filluar zyrtarisht ngrohja nëpër këto qendra, sipas Sadikut, komuna ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që ta përballojë krizën energjetike gjatë këtij dimri.
“Ne kemi edhe dy gjeneratorë që na nevojiten ndërsa të tjerët janë të pajisura me gjenerator, ndërsa në ambulancën e mjekësisë familjare ngrohja bëhet me dru. Edhe atje kemi siguruar dru, i kemi shpërndarë gjatë kësaj periudhe, dhe besoj tani kemi hyrë në një stabilitet sa i përket sigurisë së ngrohjes. Jemi të përgatitur të hyjmë në një dimër të vështirë sa i përket energjisë elektrike, por jemi të bindur se nuk do të kemi probleme”, tha Sadiku.
Drejtori i Shëndetësisë thotë se kanë arritur marrëveshje me “Termokosin” që gjatë zgjerimit të rrjetit të tyre nëpër lagjet e Prishtinës, të parat që duhet të përfitojnë nga ngrohja janë institucionet mjekësore.
Në ndërkohë, kjo ndërmarrje është në proces të zgjerimit të ngrohjes nëpër lagjet e reja.
Nga furnizimi me ngrohje qendrore sivjet pritet të përfitojë lagjja “Mati 1”.
Sipas zëdhënëses, Afërdita Uka, kyçja e kësaj lagjeje në “Termokos” do të bëhet gradualisht gjatë gjithë këtij sezoni ngrohës.
“Jemi duke bërë kompletimin e nënstacioneve për një pjesë të ngrohjes në lagjen Mati 1, përkatësisht në rrugën ‘Muahrrem Fejza’ dhe në rrugicat përreth saj. Shtrirja e rrjetit tashmë ka përfunduar ndërsa pas kompletimit të nënstacioneve do të fillojë edhe furnizimi me ngrohje edhe për këto objekteve banesore. Furnizimi me ngrohje do fillojë gradualisht, fillimisht do të bëhet në rrugicat e para, do vazhdohet më tutje gjatë gjithë sezonit ngrohës edhe me rrugicat tjera si të përfundon kompletimi i nënstacioneve”, tha Uka.
Qytetarët kanë ankesa se zgjerimi i rrjetit të “Termokosit” po bëhet në hapa shumë të ngadalshëm.
Përveç QMF-ve, nga e hëna ngrohja është paralajmëruar të fillojë edhe nëpër shkollat dhe çerdhet e Prishtinës.