“Kalabria”, “Prishtina e vjetër”, “Mahalla e Muhaxherëve”, Tophania”, “Lakrishta”, vazhdojnë të kenë ngrohje alternative me dru, rrymë e madje edhe me thëngjill në mungesë të rrjetit ngrohës nga “Termokosi”.
38 mijë konsumatorë nga këto lagje parashihen të jenë përfitues të ngrohjes solare, përmes projektit inovativ të “Termokosit” “Solar4Kosovo”, që ka një kohë të gjatë që është premtuar të fillojë.
Madje, ka dy vjet qëkur Ministria e Financave ka ndarë 80 milionë euro për fillimin e ndërtimit të ngrohjes solare, mirëpo punimet ende nuk kanë filluar.
E qytetarët thonë se kyçja në ngrohtore është më se e nevojshme për ta në kohën kur është rritur edhe shtrenjtimi i energjisë elektrike, por edhe për shkak të shëndetit.
“E nevojshme është patjetër. Shpenzimet i ke më të vogla tash”, ka thënë një qytetar.
“Është kërkesë e shëndetit së pari”, ka thënë një tjetër.
“Në shtëpi nxehem me pelet e në ordinancë me Termokos. Më mirë pakrahasueshëm me Termokos. Kosto, mundi të gjitha... e me Termokos ndoshta pak më shtrenjtë, por mundi kursehet”, ka thënë një tjetër.
Aferdita Uka, zëdhënëse e “Termokosit”, thotë se ka pasur disa vonesa por tani janë në fazën e rishpalljes së ofertimit për përzgjedhjen e kompanisë që do t’i kryejë këto punë.
“Janë një numër i madh i përgatitjeve. Tenderët evropianë kanë një fazë studimi të fizibilitetit që bëhet në vendin ku vendosen këto panele solare. Është e vërtetë që ka pasur një rrugëtim të gjatë që nga periudha kur janë ekzekutuar mjetet dhe kur është bërë plani për këtë projekt dhe pastaj zgjedhja e vendit ku do të shtrihen këto panele solare, është dashur të bëhet një ridestinim nga fshati Hade në Shkabaj. Është në fshatin Shkabaj një hapësirë prej 25 hektarëve që e ka përcaktuar Qeveria e Kosovës tre vjet më parë. Pastaj ka qenë faza e studimit dhe njoftimit të banorëve të lagjes, pra është dashur të merret pëlqimi i tyre, pra është një mori dokumentacionesh deri sa kemi ardhur deri këtu. Pastaj është hapur faza e ofertimit para disa muajve por tani duhet ta rishpallim përsëri për shkak se nuk kanë qenë të plotësuara kushtet për zgjedhjen e një operatori në atë kohë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, ky projekt do të jetë i dyti për nga madhësia në Evropë, pas atij të Danimarkës.
Uka ka treguar se cilat lagje do të përfitojnë ngrohje pas përfundimit të këtij projekti.
“Përfitues të këtij projekti do të jenë rreth 38 mijë konsumatorët të lagjeve të ndryshme të Prishtinës. Është një pjesë në ‘Lakrishtë’, në lagjen ‘Kalabria’, do të ketë zgjerim edhe në lagjen ‘Tophane’ dhe në pjesë të ndryshme të qytetit kudo që ka mundësi zgjerimi”, ka thënë ajo.
Në anë tjetër, edhe procesi i realizimit për dyfishimin e kapaciteteve të “Termokosit” është duke shkuar ngadalë.