Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mustafa viziton Thaçin: Uroj të fitojë drejtësia në procesin e konstruktuar nga raportet ruso-serbe

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka njoftuar të shtunën se në fillim të kësaj jave ka vizituar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët ndodhën në paraburgim në Hagë, nga ku ka bërë thirrje që të triumfojë drejtësia dhe të vërtetohet lufta e pastër e UÇK-së.

Mustafa, sipas njoftimit, u takua me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi.

Ish-kryetari i LDK-së i vlerëson lartë këto personalitet, të cilët i konsideron “shumë të rëndësishëm në procesin e shtetndërtimit të Kosovës” dhe sipas tij, kontributi i tyre është i pamohueshëm pavarësisht dallimeve partiake që kanë pasur.

“Më gëzoi fakti që i gjeta mirë, të mbushur me idealizëm; të bindur në pafajësinë e tyre dhe luftën e drejtë të UÇK-së, të gatshëm për të mbrojtur të vërtetën. Mund të jem pajtuar apo të mos jem pajtuar me njërin apo tjetrin për konceptet partiake e të qeverisjes, por është e pamohueshme trimëria dhe kontributi i tyre në mbrojtjen e popullatës në zonat më të ashpra të luftës dhe zëdhënien për masakrat çnjerëzore nga ushtria dhe shteti i Millosheviqit, ashtu siç është i pamohueshëm edhe kontributi për paqe në Konferencën e Rambujesë, në transformimin e UÇK-së menjëherë pas lufte, në negociatat e Vjenës për shtet të pavarur, në shpalljen e pavarësisë dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike”, ka shkruar Mustafa.

Në fund, Mustafa uroi që “nga ky proces, që u iniciua nga konstruksionet e rrejshme ruse-serbe në raportin e Dick Martyt, të fitojë drejtësia”.

Mustafa nuk e ka përmendur ish-deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, që gjithashtu është një nga themeluesit e UÇK-së dhe ndodhet në paraburgim në Hagë. 

Edhe Krasniqi viziton Thaçin e Veselin në Hagë: Presim kthimin triumfues të tyre sa më parë Arbëri Krasniqi viziton Thaçin e Veselin në Hagë: Presim kthimin triumfues të tyre sa më parë

Aktakuza nën pretendimin për krime lufte kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, ishte konfirmuar në tetor të vitit 2020, e cila u pasua me arrestimin e tyre dhe dërgimin në Hagë. Ish-krerët e UÇK-së ndodhën në qendrën e paraburgimit në Hagë tash e dy vjet, derisa presin të fillojë procesi gjyqësor ndaj tyre. Ata janë deklaruar të pafajshëm para gjykatësit të procedurës paraprake.