Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mustafa: Rritja e tatimit në pronë, shpërfillje për qytetarët

Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, ka thënë se dyfishimi i tatimit në pronë do të ju rëndojë edhe më tej gjendjen qytetarëve.

“Në kohën kur qytetarët e Kosovës po ballafaqohen me një goditje shumë të rëndë të standardit të jetesës si rrjedhojë e rritjes së çmimeve, Qeveria e Kosovës paska vendosur ta dyfishojë tatimin në pronë për shumë qytetarë, duke ua rënduar edhe me tej gjendjen veç se të rënduar ekonomike”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Sipas tij kjo politikë e Qeverisë është shpërfillje për qytetarët.

“Kjo politikë e Qeverisë për t’i ngarkuar qytetarët me tatime më të larta në këtë kohë krize është vështirë e kuptueshme dhe flet më së miri për kapacitetet e dobëta qeverisëse dhe shpërfilljen që kjo Qeveri po i bën vështirësive me të cilat po ballafaqohen qytetarët”, ka shkuar Mustafa.

Mustafa ka thënë se me politika si kjo, Qeveria e Kosovës po dëshmon se është duke jetuar e shkëputur nga realiteti, sipas tij, i zymtë ekonomik, që po mbretëron në Kosovë.