Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në Partinë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, e quan të pajustifikueshme rritjen e tatimit në pronë.
Ai në “Konfront” në KTV ka thënë se është e çuditshme që të rritet tatimit kur nga ana tjetër ka pasur edhe rritje të çmimeve të produkteve përgjatë vitit të kaluar.
“Befasohemi nga kjo qeveri që duket se po e përpunon një lloj të qeverisjes që në vazhdimësi sjell befasi por befasitë që po i sjell nuk janë të këndshme. Është e pakuptueshme që në këtë periudhë të kemi rritje të tatimit në pronë, kur standardi jetesës ka pësuar goditjen më të madhe në 20 vjetët e fundit. Kemi një situatë ku qeveria duket shumë e preokupuar të mbledhë çdo cent të mundshëm të qytetarëve, ndërsa kemi parë gjatë 2022 kjo qeveri nuk është se ka mungesë të parave por ka mungesë të aftësive për të shpenzuar para”, ka thënë ai.
Mustafa ka thënë se është edhe e çuditshme që Qeveria nuk ua ka komunikuar më herët qytetarëve këtë informacion.
“E çuditshme është rritja pas asnjë lloj komunikimi me qytetarët. Kishim rritje të madhe të çmimeve të produkteve bazike të konsumit, të drurit, dhe paramendoni një familje që duhet ta paguajë tatimin në pronë, papritmas e ka një barrë të dyfishuar të këtij tatimi. Rritja është e pajustifikueshme në këtë kohë. Ekziston shpërfillje e plotë e realitetit në Kosovë. Kemi shpërfillje të brengave dhe sfidave me të cilat ballafaqohen qytetarët”.
Edhe
Hoti kritikon Qeverinë: Rritja e çmimit të energjisë dhe naftës po rëndon qytetarët
Dje dhe sot dhjetëra qytetarë janë ankuar pasi faturat e tatimit në pronë kanë mbërritur deri në dyfish në krahasim me vlerësimin e vitit të shkuar. Komuna e Prishtinës ka thënë se vlerësimin e ka bërë Ministria e Financave. Kurse ministria ka thënë se për vlerësimin e pronës bashkëpunoi ngushtë me komunat.