Arbëri

Mustafa për rritjen e pensioneve: E pamjaftueshme, joserioze dhe e pasinqertë

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Arben Mustafa

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Arben Mustafa, ka thënë se rritja e fundit e pensioneve është e pamjaftueshme dhe joserioze për këtë kategori. 

Ai e ka cilësuar të pasinqertë këtë rritje, duke pasur parasysh kohën se kur ka ndodhur. 

“Rritja prej 20 euro e pensionit në këtë kohë të krizës së çmimeve, është e pamjaftueshme, joserioze për pensionistët, por edhe e pasinqertë për nga momenti se kur ka ndodhur. Gjatë kësaj periudhe ka ndodhur një rritje shumë e madhe e çmimeve. Kjo qeveri i ka lënë pensionistët për më shumë se dy vjet nga rritja e çmimeve të ballafaqohen të vetmuar me rritje të çmimeve dhe në fund vijnë me një rritje prej 20 eurosh”, ka thënë ai. 

Sipas Mustafës, kjo qeveri ka shfaqur mungesë totale të ndjeshmërisë ndaj kushteve në të cilat jetojnë qytetarët.

“Kemi të bëjmë me një papjekuri, me politika eksperimentale të njerëzve që po udhëheqin shtetin pasi që janë kaotikë. Në një anë thonë se kemi rritje të të hyrave, në anën tjetër thonë se nuk kanë para. Cilës kategori të shoqërisë i është përmirësuar jeta me paratë që i kanë ndarë ata?”, ka shtuar ai.

Derisa ka folur për Ligjin e Pagave, Mustafa e ka akuzuar ekzekutivin për manipulim. 

“Në tërësi bëhet një politikë propaganduese që e ka ndjekur kjo qeveri në vazhdimësi sepse janë munduar ta bindin qytetarin që po jeton më mirë, por në fakt qytetari e di vetë se si jeton”, është shprehur ai.