Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, i ka reaguar Ministrisë së Shëndetësisë duke thënë se s’ka termine për vaksinim sepse aktualisht nuk ka vaksina.
Mustafa e ka publikuar një fotografi të platformës E-Kosova ku thuhet se s’ka termine të lira për vaksinim. Togfjalëlishit “termine të lira”, Mustafa ia ka bërë një vizë të kuqe përmbi, ndërsa mbi të ka shkruar “vaksina”.
“Jo “termine”, por s’ka vaksina! Shkoi gjysma e 2021 e në Kosovë s’ka vaksina”, ka shkruar Mustafa.
Shumë qytetarë kanë shprehur shqetësimin se ditëve të fundit nuk po mund të aplikojnë në platformën E-Kosova për të caktuar termin për t’u vaksinuar kundër COVID-19. Atyre nuk po u jepet mundësia që në këtë platformë të caktojnë datë për marrje të vaksinës, pasi përgjigja është se s’ka termine të lira.
Ministrisë së Shëndetësisë në një përgjigje për KOHËN të premten, kishte thënë se terminët për të marrë vaksinën anti-COVID janë të zëna deri më 29 qershor.