Qytetarët të cilët dëshirojnë të caktojnë termin për t’u vaksinuar me dozë të parë në Prishtinë duhet të presin deri në javën tjetër për një termin të lirë.
Sipas një përgjigjeje për KOHËN, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në këtë komunë nuk do të ketë terminë të lirë deri më datën 19 gusht.
E interesimin e lartë të qytetarëve të Prishtinës për të caktuar termin për vaksinim e ka konfirmuar edhe një infermiere në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.
“Në fillim ka qenë më të interesuar i pacientëve më të moshuar, ndërsa tani janë mosha të mesme dhe rinia. Kemi një fluks më të madh, dje me datën 10 kemi pasur diku rreth 180 pacientë të cilët i kemi regjistruar për vaksinim”, thotë Gjylie Sherifi, infermiere në QKMF në Prishtinë.
Për shkak të përmbushjes maksimale të kapacitetit për vaksinim në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, MSH-ja ka njoftuar se do t’i shtojë edhe pesë ekipe të tjera për imunizim aty.
Në pyetjen se përse një komunë nuk ka më shumë se një qendër të vaksinimit, Ministria është përgjigjur se me rëndësi është numri i ekipeve të cilat punojnë aty e jo numri i qendrave të vaksinimit.
“Në një qendër vaksinimi mund të ketë shembull 10 ekipe vaksinimi dhe kjo është e njëjtë sikur të ketë 3 qendra vaksinimi me nga 3, përkatësisht 4 ekipe 3+3+4. Pra, esenca te dhënia e vaksinave nuk qëndron sa qendra vaksinimi janë të organizuara, por sa ekipe të vaksinimit e bëjnë vaksinimin”, thuhet nga MSH-ja.
Qytetarët të cilët janë vaksinuar të mërkurën në sallën “1 Tetori” kanë thënë se kanë qenë të kënaqur me këtë proces.
“Hera e dytë që po e marr tani, herën e parë nuk më ka munduar hiç, as që e kam ndjerë. E tash nuk e di a ka me më mundu”, tha qytetari Latif Zeqiri.
“Qe, vetëm sa erdha, vetëm goxha goxha shumë mirë”, thotë Sofije Matoshi, qytetare nga Prishtina.
“Arsyeja se ёshtë obligim ligjor që e kanë sugjeruar institucionet relevante, dhe patjetër që duhet të vaksinohemi, për shëndetin, për mbrojtjen e sigurisë”, thotë qytetari Aurit Zeneli.
Vaksinimi, si mënyra më efikase për mbrojtje nga COVID-19, ka bërë që Shoqata e Gastronomëve në Kosovë ditë më parë të paralajmërojë ndaljen e hyrjes së qytetarëve në vende publike nëse nuk janë vaksinuar së paku me një dozë të parë.
“Ky vendim është shumë me vend, shumë mirë. Edhe në Gjermani është bërë ashtu, nëse nuk e ke vaksinën nga “1 Tetori” nuk ke të drejtë të hysh nëpër restorante, fitnese, e shumë vende”, tha mërgimtarja Ramize Hamza.
“Ndihem mirë, nuk kam pasur probleme lidhur me këtë. Më është dhënë kartoni i verdhë që është janë dëshmi që mund të udhëtoj diku”, thotë qytetari Musa Prelvukaj.
“Besoj që është e arsyeshme që me e marrë, duhet me u vaksinu të gjithë”, deklaroi qytetari Agon Kadriu.
Gjatë ditës në nivel të Kosovës janë administruar rreth 15 mijë doza të vaksinës.
Që nga fillimi i procesit të vaksinimit janë administruar mbi 530 mijë vaksina.