Avokati Skender Musa ka thënë se në rast se vërtetohet se bashkëshorti i 25-vjeçares është autori i vrasjes, atëherë mund të pasojë dënim shumë i ashpër. Musa në emisionin “Interaktiv” në KTV është shprehur se duke u bazuar në praktikat e kaluara, Gjykatat në Kosovë kanë shqiptuar dënime të rënda.
Ai ka shpjeguar se merret parasysh edhe që 25-vjeçarja ka qenë shtatzënë si dhe foshnja ka qenë e gjallë dhe e zhvilluar.
Në Malishevë, në orët e vona të së dielës është vrarë një 25-vjeçare. Ajo ishte në javën e 34-t të shtatzënisë.
“Personat që kryejnë vepra ndaj anëtarëve të familjes në mënyrë të veçantë, në këtë rast mund të konsiderohet sepse gruaja ka qenë shtatzënë, dënimet janë bukur të rënda dhe Gjykatat e Kosovës kanë shqiptuar dënime të rënda. Në bazë të praktikave të rasteve të tjera janë shqiptuar dënime prej 20, 25, 30 vjet dhe dënim me burgim të përjetshëm. Ky rast mund të përfundoj me dënim shumë të ashpër. Në aspektin juridik merret parasysh edhe se a ka qenë foshnja e gjallë dhe mund të konsiderohet si vrasje e kualifikuar”, ka thënë Musa.
Avokati Musa ka specifikuar se dënimet në Kosovë për këto vepra janë të rënda apo më të rënda se në rajon dhe në Bashkimin Evropian.
Edhe
Pesë të vrarë brenda një jave në Kosovë, Musa: Hetuesia të angazhohet te shitësit e armëve
Një nga shkaqet për numrin e madh të vrasjeve në Kosovë, Musa ka thënë se është edhe numri i madh i armëve pa leje që qarkullojnë në duart e qytetarëve. Ai ka deklaruar se në vendin tonë shumë lehtë sigurohet një armë dhe kjo “është burim i rrezikut për humbjen e jetëve që në shumicën e rasteve janë të pafajshme”.
Edhe ekspertë të sigurisë kanë kërkuar ashpërsim të dënimeve për personat që mbajnë armë pa leje, në mënyrë që të ndikohet në uljen e krimeve në Kosovë.