Sipas avokatit Skender Musa, janë të tepërta rastet kur qytetarë lihen në mbajtje për 48-orë edhe pa arsye. Ai ka thënë se dërgimi në mbajtje është bërë praktikë në Kosovë.
Musa ka folur për rastin e vdekjes së 27-vjeçarit pas arrestimit nga pesë zyrtarë policorë, duke theksuar se përdorimi i forcës nga policët nuk ka qenë në proporcion me kundërshtimin e tij. Ka shtuar se nuk pesë policë nuk mund të reagojnë ndaj një qytetari vetëm për t’ia vënë prangat.
Siç ka thënë ai, në rastin e 27-vjeçarit ka pasur mundësi të veprohet ndryshe.
“Mendoj që ka pasur mundësi të veprohet ndryshe. Jo në secilin rast kërkohet arrestimi i personave, dërgimi në mbajtje, siç është bë praktikë në Kosovë. Në Kosovë më lehtë është të shkojë në mbajtje njeriu 48 orë, sesa te mjeku. Me një telefon e çojnë në mbajtje prokurorët dhe policia. Ka raste të caktuara kur nuk ka vend në Prishtinë., Podujevë, Fushë-Kosovë dhe duhet të dërgohen në Drenas. Varet kush është kujdestar nga prokurorët dhe ka prokurorë që pa asnjë hezitim i dërgojnë qytetarët në mbajtje 48-orë. Prandaj, është bë e tepërt, në një formë secili polic mund ta marrë një person ta arrestojë dhe ta çojë në mbajtje, me e paraqitë si të rrezikshëm, si kërcënim për policinë etj”, ka potencuar avokati në “60 Minuta” në KTV.
Musa ka deklaruar më tej se në shumicën e rasteve “ka keqpërdorim të autorizimeve të policisë dhe prokurorisë kur dërgohen njerëzit në mbajtje pa arsye”.
Sipas tij, është herët të thuhet se policët e përfshirë mund të akuzohen për vrasje me dashje ose vrasje nga pakujdesia.
“Nuk mund t’i akuzosh për vrasje sepse të akuzosh dikë për vrasje duhet të ketë dashje me vra personin. Nuk mund të dyshojë dikush që te policët ka ekzistuar dashja me privu nga jeta. Edhe vrasja nga pakujdesia është e hershme sepse mund të ketë ndërruar jetë për shkaqe të tjera, dhe jo nga përdorimi i forcës nga policët. Dhe nuk e dimë a e kanë ditur policët në çfarë gjendje shëndetësore ka qenë personi apo e kanë pa si një qytetar që po thyen rregullat e sjelljes në shoqëri”.
Musa ka thënë se në raste të tilla duhet të dorëhiqet zinxhiri komandues në vendin ku ka ndodhur veprimi.