Arbëri

Murtezaj kërkon rifunksionalizim të Këshillit të Përgjithshëm dhe rikthim te parimet e Rugovës

valon MUrtezaj

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Valon Murtezaj, ka kritikuar mungesën e mbledhjeve të këtij organi që nga 28 maji 2024, duke thënë se partia ka dështuar të trajtojë situatën politike dhe gjendjen institucionale në vend.

Në një postim në Facebook, Murtezaj ka shkruar se për më shumë se një vit, Këshilli i Përgjithshëm nuk është thirrur asnjëherë, ndonëse sipas Statutit të LDK-së ky organ është i vetmi që përcakton qëndrimet politike të partisë dhe vendos për çështjet madhore të saj, përfshirë rolin në formimin e institucioneve.

Sipas tij, anëtaret dhe anëtarët e Këshillit janë privuar nga mundësia për të ushtruar përgjegjësinë e tyre për të diskutuar lirisht, për të dhënë kontributet e tyre dhe për të ofruar zgjidhje për LDK-në dhe për vendin.

Murtezaj ka rikujtuar se në këtë periudhë janë mbajtur dy palë zgjedhje, ato nacionale dhe lokale, ndërsa zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë caktuar për 28 dhjetor 2025. Ai e ka përshkruar situatën aktuale politike si “kriza më e rëndë në Kosovën e pavarur”, duke thënë se vendi tash e një vit nuk ka qeveri as Kuvend funksional.

“Në ndërkohë, siç e dimë të gjithë, janë mbajtur dy palë zgjedhje, ato nacionale, dhe zgjedhjet lokale (në dy raunde). Zgjedhjet tjera nacionale janë caktuar të mbahen më 28 dhjetor 2025. Për më tepër, kriza aktuale politike dhe institucionale, më e rënda në Kosovën e pavarur, dhe pasojat për shtetin e Kosovës tanimë janë fakt. Po bëhet një vit që Kosova nuk ka qeveri efektive, dhe as Kuvend efektiv. Kjo është pasojë e palidershipit politik, si dhe të deficitit të përgjegjësisë dhe patriotizmit në raport me egon dhe profiterizmin vetjak, për t’i dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj më të mirën dhe atë që i duhet, sot dhe në kohët që po vijnë”, ka shkruar Murtezaj.

Murtezaj ka përmendur edhe trashëgiminë politike të Ibrahim Rugovës dhe themeluesve të LDK-së, të cilët, sipas tij, e kanë ndërtuar partinë mbi vlerat e paqes, lirisë dhe demokracisë, duke e shndërruar atë në një lëvizje për pavarësi dhe zhvillim demokratik.

Ai ka theksuar se politikanët e sotëm duhet të kuptojnë se angazhimi publik është akt humanist e jo rrugë për përfitime personale, ndërsa vendimmarrja duhet të bëhet brenda forumeve statutare e jo jashtë tyre.

“Sot, me dhembje dhe indinjatë, mund të them se kufiri ndërmjet vendimmarrjes demokratike dhe asaj autokratike-oligarkike është zhvendosur në dëm të demokracisë,” ka përfunduar Murtezaj.

“Gjithë së bashku, me ndihmën e vendeve demokratike, Shtetet e Bashkuara dhe demokracitë europiane, arritën këtë mrekulli (siç e quante Presidenti historik Ibrahim Rugova), duke u angazhuar me bindje, me qartësi dhe ndershmëri. Vizioni i tyre ishte i vërtetë, dhe qëllimet e tyre ishin në shërbim të paqes, dhe të progresit shoqëror e njerëzor. Prandaj, udhëheqësit dhe politikanët që angazhohen sot në shërbim të qytetarëve, duhet të kuptojnë se: - ky angazhim është humanist e altruist dhe jo për profiterizëm vetjak e korruptiv; dhe - në demokraci vendimet merren në forumet e përcaktuara me rregulla dhe norma statutare, dhe jo në forma dhe mënyra dhe lokacione tjera jashtë statutare;Sot, me dhembshuri dhe indinjatë, mund të shpreh se, demarkacioni ndërmjet vendim-marrjes demokratike dhe asaj autokratike-oligarkike është zhvendosur në favor të kontrastit të demokracisë”, ka thënë ai.

Lumir Abdixhiku është nominuar si kandidat për kryeministër nga partia të cilën e drejton. Këtë e ka bërë të ditur vetë ai në një konferencë për media, pas mbledhjes së kryesisë së Lidhjes Demokratike (LDK).

Ai ka thënë se nuk ka pasur diskutime rreth nominimit të kandidatit për kryeministër.