Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Murati thirrje bizneseve që t’i rritin pagat: Koha që ta ndani fitimin me ata që ua mundësojnë

Ministri i Financave, Hekuran Murati, u ka bërë sërish thirrje bizneseve që t’i rritin pagat e punëtorëve.

Murati përmes një postimi në Facebook, ka thënë se është koha që fitimet e shtuara, bizneset t’i ndajnë me ata që ua mundësojnë atë.

“Çmimet janë rritur, por bashkë me çmimet, shumica e bizneseve kanë rritur edhe fitimet. Andaj është koha që fitimet e shtuara, bizneset t’i ndajnë me ata që ua mundësojnë të kenë fitim - pra punëtorët. Sidomos tani kur jeta është bërë më e vështirë si rezultat i çmimeve më të larta. Për ta bërë më të lehtë, qeveria do të mbështesë secilin biznes që rrit pagat e punëtorëve duke subvencionuar 50% të rritjes së pagës, për 3 muajt e parë, sipas kushteve dhe kritereve të aplikueshme”, ka shkruar Murati.

Ai ka përsëritur se bizneset që i rritin pagat dhe dëshirojnë të përfitojnë nga mbështetja e Qeverisë, duhet të aplikojnë deri më 20 dhjetor.