Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka kritikuar opozitën se po kërkon nga Qeveria që t’i ulë të hyrat dhe nuk po kërkon nga bizneset që të ulin fitimin.
I ftuar të hënën në 60 Minuta të KTV-së, Murati ka thënë se heqja e akcizës dhe TVSH-së nuk do të ulte çmimin e naftës.
“Duhet të shohim, në situata të tilla të çrregullta ligji e parasheh se shteti duhet të ndërhyjë. Asnjëherë nga opozita nuk dëgjohet të thuhet se marzha është shumë e lartë, bizneset duhet të mos e keqpërdorin situatën, krejt çka bëjnë thirrje është që shteti t’i ulë të hyrat jo bizneset fitimin. Cila do të ishte alternativa nëse do të ulej TVSH-ja siç kërkojnë ata. Për t’u ulur TVSH-ja i bie që 100 eurot që i kemi ndarë, i kanë mbuluar 1000 euro blerje”, ka thënë ai.
Murati ka shtuar se shteti edhe më parë ka hequr dorë nga TVSH-ja në mënyrë që t’u ndihmohet bizneseve, por nga ato nuk është reflektuar, madje sipas tij, kanë kërcënuar që nëse kthehet TVSH-ja ku ka qenë, do të ketë rritje çmimesh.
“Edhe në të kaluarën, vitin e kaluar ka qenë ulja e TVSH-së për gastronominë, nga 18 në 8 për qind për gastronominë. Qysh atëherë u kam thënë se nëse bëhet kjo nuk do të zgjidhet asnjë problem, për tërë vitin 2021 më tregoni një biznes që i ka zbritur çmimet për 10 për qind? Asnjë. Bizneset kanë kërcënuar që nëse kthehet TVSH-ja në 18 për qind, ata do t’i rrisin çmimet. Humbjet që i kanë pësuar është dashur t’i mbështesin në forma të tjera. Është vështirë që do të reflektojë në çmimin e naftës. Kemi shembullin kur shteti ka hequr dorë nga TVSH-ja dhe nuk është reflektuar nga bizneset te konsumatori. Jo domosdo uljet reflektojnë te konsumatori fundor, sidomos në këtë gjendje krize”, ka thënë ai.
Edhe
Murati: Heqja e akcizës nga nafta, trashje e fitimit për tregtarët
Sipas tij, po që se shteti do të ulë taksat, përfituesit më të mëdhenj do të jenë familjet e pasura.
Nëse unë si shtet i uli taksat, përfitues më i madh do të jetë një familje e pasur sesa familjet e varfra. Ne nuk duam që me një anë t’i ulim të hyrat e shtetit që do të përfundonin në xhepat e tregtarëve, sepse veç do t’i rrisnin çmimet që t’i kthejnë sërish aty para se të ulej taksa. Të hyrat që po i mbledhim, çfarëdo e hyre shtesë tregon menaxhim të mirë të parasë publike. Nuk duhet të merren masa të tilla, as nuk duhet të diskutohet sepse i bie se do të duhej të merrej vendim për rritjen e marzhës së fitimit për tregtarët e në anën tjetër më pak mundësi të shtetit për ndihmë ndaj atyre në nevojë, e besa edhe reduktim”, ka thënë ai.
Ministri i Financave më tej ka paralajmëruar se Qeveria po ndërmerr hapa të tjerë për ndihmë në tejkalimin e kësaj krize. Ai ka thënë se ka nevojë që të futen më shumë familje në asistencë sociale.
“Kriza e inflacionit po i prek të gjithë qytetarët, për këtë ne si qeveri jemi kujdesur, kemi hapa të tjerë që do të varen nga Kuvendi. Është reforma e skemës së asistencës sociale, përmes së cilës, e cila është marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë 47 milionë euro, parashihet që të rritet mbështetja në asistencë sociale, duke u shtuar 10 mijë familje të tjera dhe të bëhet reforma asisoj që të ristrukturohet e të bëhet ndërlidhja me sistemet tjera, si ATK-ja. Ne si shtet operojmë me deficit dhe çdo shpenzim që rritet, përderisa jemi në deficit nënkuptohet se po marrim kredi”, ka thënë ai.
Murati: Projektligji për pagën minimale duhet dhe do të kalojë
Ministri i Financave, Hekuran Murati, beson se Projektligji për pagën minimale do të kalojë në seancën që pritet të mbahet të martën.
I ftuar në emisionin 60 Minuta të KTV-së, Murati ka thënë se do të ketë miratim të ligjit, për të cilin Qeveria ka pritur të hynte në fuqi që nga maji.
Ai ka paralajmëruar se me futjen në fuqi të këtij ligji, do të ketë rritje të pagës neto për secilin të punësuar.
Edhe
Murati: Ulja e akcizës do të kishte efekt të vogël te qytetarët, por humbje të mëdha për shtetin
“Unë po besoj që më në fund do të kemi miratimin e ligjit. Kemi shpresuar që të kalonte ky ligj nga maji dhe më 1 maj të hynte në fuqi. Është tepër me rëndësi sepse përveç që rritë pagën, për të gjithë të punësuarit tjerë e rritë edhe pagën që nuk tatohet. Nga 80 euro rritet në 250 euro që nuk tatohet dhe kjo nënkupton rritje të pagës neto për secilin të punësuar”, ka thënë ai.
Për protestën e mbajtur para një jave në oborrin e Kuvendit nga veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Murati ka thënë se ata do të duhej të protestonin kur është bërë shkëputja midis pagës minimale dhe pensionit të veteranëve më 2017.
“Pse nuk kanë qenë kundër kur është bërë shkëputja, por tani kur po rritet paga minimale? Pensioni i tyre është shkëputur në vitin 2017 nga paga minimale. Pse atëherë nuk është kundërshtuar shkëputja por tani po kundërshtohet një ligj që tenton rritjen e pagës minimale? Ata që kanë votuar për të shkëputur pagën minimale prej pensionit të veteranit, dolën në atë protestë. Reforma e skemave pensionale do të bëhet. Ligji për pagën minimale duhet të kalojë dhe do të kalojë, do të jenë deputetët aty”, ka thënë ai.
Murati, ka folur për insistimin e opozitës për tërheqjen e një pjese të Trustit Pensional. Ai ka thënë se me këtë nënkuptohet që po shkatërrohet një institucion.
Sipas tij, kur është miratuar tërheqja e parë edhe pozita edhe opozita kishin thënë se kjo do të ishte hera e vetme që do të lejohej një tërheqje e tillë. Murati e ka quajtur këtë si thirrje populiste.
“Është çështje e parimit. Ne kemi mbajtur qëndrimin e njëjtë prej vitit 2020. Opozita ka ndërruar qëndrim”, ka thënë ai.
Murati për Fondin për Siguri ka thënë se nuk është e mençur të publikohen shifrat e buxhetit të Fondit për Siguri.
Edhe
Murati flet për rritjen e të hyrave, opozita e quan mashtrues
Ai ka thënë se informatat e tilla nuk i shërbejnë askujt për mirë. Ndërkaq për Fondin për Trajtim Jashtë Vendit, ai ka thënë se duhet të jetë çështje e organeve hetimore, se nëse është paguar fatura a janë kryer edhe shërbimet.
Sipas tij, organet hetimore e kanë mbështetjen e plotë të Qeverisë lidhur me hetimin.