Arbëri

Bajrami i përgjigjet Muratit për tatimin: Bizneset nuk përfitojnë nga pezullimi

Hykmete Bajrami

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, i është kundërpërgjigjur ministrit të Financave, Hekuran Murati, që ka thënë se LDK-ja me propozimin e saj për faturat e tatimit në pronë dëshiron që të përfitojnë biznesmenët dhe jo qytetarët. Duke i cilësuar si të pavërteta deklaratat e Muratit, Bajrami ka shkruar në Facebook se bizneseve “as nuk u është rritur tatimi e as nuk përfitojnë nga pezullimi i vlerësimit”.

“Hekuran Murati i cili thotë se i ka shpërndarë 800 milionë euro ndihma qytetarëve dhe bizneseve, që dy vite, e i cili nuk e ka guximin ta publikoj asnjë listë të top 50-përfituesëve, të ‘200 masave të tij’, sot paska renditur një mal me të pavërteta për konferencën e LDK-së. Ministër, mos thuaj të pavërteta! Bizneseve as nuk ju ke rritë tatimin e as nuk përfitojnë nga pezullimi i vlerësimit. Ministër, që dy vite as edhe një vendim të vetëm nuk e ke marrë për avancim dhe përmirësim të politikave fiskale, thjeshtë po bën punën e një kontabilisti, po të pëlqen të kesh bilanc pozitiv, po i varfëron qytetarët përmes tatimeve dhe mandej po bën sikur po i shpërblen ata me nga 50 e 100 Euro. Asnjë shtet nuk është zhvilluar me politikën e lëmoshës”, ka thënë Bajrami.

Ajo e ka quajtur “injorant” ministrin Murati. Ka thënë se rritja e tatimit nuk i ka prekur fare bizneset.

“Për konferencën e LDK-së dhe propozimet tona paske thënë shumë të pavërteta. Krejt gabimisht propozimet tona i ke lidhë me përfitime të bizneseve. Ministër, je gabim dhe më vjen keq që je kaq injorant, e as idenë me të vogël nuk ke se çka bën ministria juaj. Këtu po t’i publikoj dëshmitë që Departamenti i Tatimit në Pronë, MFPT, në vlerësimin e fundit nuk i ka prekë fare bizneset, sepse ka qenë vlerësim për pronat rezidenciale. Bizneseve as nuk u është rritë tatimi e as nuk do të përfitojnë nga pezullimi i vlerësimit. Pezulloje vlerësimin ashtu siç ta kemi kërkuar e mos thuaj të pavërteta!”, ka shkruar tutje ajo në Facebook ku ka publikuar edhe dy fotografi që thotë se janë e-maili i Ministrisë për komunat dhe kartela e një marketi që tatimin e ka të njëjtë sikur vitin e shkuar.

Qe disa ditë qytetarët janë alarmuar pasi faturat e tatimit në pronë për vitin 2023 u rritën në vlerë të konsiderueshme në raport me vitet e kaluara. Pas reagimit, ministri Murati propozoi që secilit tatimpagues t’i falen deri në 100 euro të tatimit të pronës.

Ndërkaq, të shtunën LDK-ja kundërshtoi propozimin e Qeverisë duke dhënë vetë propozim që të pezullohet aplikimi i rivlerësimit dhe që faturat e vitit 2023 të llogariten sikur të një viti më herët e që Qeveria të procedojë me ligjin e ri.

Në kundërpërgjigje, Murati ka thënë se me propozimin e tij do të fitonin 85 për qind e tatimpaguesve, ndërsa, sipas tij, me propozim të LDK-së përfitojnë bizneset e mëdha.