Në kuadër të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike ishte paraparë që të reduktohet norma e TVSH-së nga 18 në 8 për qind për hotelerinë dhe gastronominë gjatë vitit 2021, mirëpo ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë sot se nga 1 janari kjo normë do të rikthehet në 18 për qind.
“TVSh-ja e ulur nga 18 në 8 për qind ka qenë e paraparë që nga fillimi që të jetë në fuqi nga data 1 janar 2021 deri më 31 dhjetor 2021, dhe po skadon. Prej datës 1 janar të vitit të ardhshëm do të rikthehet në nivelin që ka qenë, pra 18 për qind”, deklaroi ai.
Në konferencën për media ku u prezantua raporti i punës vjetor për Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), ministri i Financave, Murati e ka cilësuar një vit të suksesshëm tejkalimin e planit të buxhetit të rishikuar për 7 për qind nga kjo Administratë.
“Kemi pasur për herë të parë tejkalim edhe të buxhetit të rishikuar për 7 për qind. Një rezultat i tillë përveç që nënkupton një trajtim më të barabartë për të gjithë operatorët ekonomik, për të gjitha bizneset, në anën tjetër një performancë e tillë e mirë i mundëson edhe Qeverisë që të ketë të hyra më shumë për programe zhvillimore dhe për t’i mbështetur qytetarët e vendit drejtpërdrejt. Ndërsa sfidë vazhdon të mbetet formalizimi i ekonomisë për deklarim dhe përmbushje të obligimeve tatimore sipas ligjeve”, tha Murati.