Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Murati: Për më pak se dy vjet u shtuan 7000 vende pune në prodhim e përpunim

Mbi 7 mijë vende pune janë shtuar në sektorin e prodhimit dhe përpunimit për më pak se dy vjet qeverisje të Qeverisë Kurti, sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati.

Në një shkrim në Facebook, Murati të shtunën ka thënë se janë shtuar 7048 vende pune në këtë sektor, deri në fund të vitit 2022.

“Kjo është dëshmia më e mirë se programi i qeverisë sonë për rikthim të ekonomisë drejt prodhimit po funksionon”, ka thënë Murati.

Murati në Facebook është lavdëruar duke thënë se Qeveria ka mbështetur prodhuesit në kuadër të Programit të ringjalljes ekonomike.

“Furnizim me energji elektrike të subvencionuar, disafish më lirë se rajoni; Shtim të kapitalit në Fondin për Garanci Kreditore, dhe mbulim të tarifave për garantimin e kredive; Subvencionim të kredive investuese për zgjerim të kapaciteteve prodhuese; Mbështetje në trajnimin e stafit, marketing e brendim, dhe pjesëmarrje në panaire brenda e jashtë vendit; Grante për bashkëfinancim të pajisjeve; Rritje e subvencioneve për produktet bujqësore; Subvencion për punësimin e grave; Subvencionim për punësimin e të rinjve”, ka përmendur ai në mesin e masave që ka thënë se i ka marrë Qeveria për këtë sektor.

Edhe Murati: Rritja e buxhetit dhe shtimi i vendeve të punës, ndër sukseset e kësaj qeverie Arbëri Murati: Rritja e buxhetit dhe shtimi i vendeve të punës, ndër sukseset e kësaj qeverie

“Ka edhe shumë veprime tjera mbështetëse siç janë lehtësimi i procedurave e barrës administrative përmes dixhitalizimit, apo edhe luftimi i kontrabandës e informalitetit. Gradualisht, por sigurt, drejt një ekonomie të qëndrueshme. Qeveria për prodhuesit!” ka vazhduar Murati.

Për rritje të punësimit, pak ditë më parë u lavdërua edhe kryeministri Albin Kurti. “Për 21 muaj nga marsi i vitit 2021 deri në dhjetor të vitit 2022 është rritur punësimi primar nga 325.467 të punësuar në 362.817 të punësuar pra për 21 muaj 37.350 më shumë dhe numri i grave të punësuara është 50.3% të rritjes së gjithmbarshme pra diç më shumë se sa gjysma janë gratë ato të cilat kanë hyrë në vende të reja të punës gjatë këtij 21 muajshi”, u shpreh ai në Kuvend në mesjavë.