Artan Murati, këshilltar i kryeparlamentares Vjosa Osmani, në “Express Intervistën” në KTV ka thënë se Ligji për menaxhimin e pandemisë është i një rëndësie të veçantë pasi u mundëson institucioneve përkatëse që ta kryejnë punën e vet pa shkelur Kushtetutën.
“Nevoja për një ligj të tillë ka lindur pas një obligimi që erdhi nga GJYKATA Kushtetuese, që dy herë është specifikuar se për t’u bërë kufizimi i lëvizjes duhet të ketë një ligj të mirëfilltë. Kufizimin e të drejtave e bën vetëm përmes ligjit. Duke pas parasysh rrethanat luftimit të COVID-19, kryetarja e Kuvendit kishte iniciuar këtë nismë, që u përkrah nga deputetë të LDK-së dhe Vetëvendosjes”, ka thënë Murati.
Kjo nismë nuk ishte përkrahur në fillim, derisa Murati thotë se kishte dilema procedurale.
“Kësaj përkrahjes fillestare iu referova te gjashtë nënshkrimeve fillestare, për ta iniciuar këtë nismë. Herën e parë kishte edhe dilema procedurale. Në mbledhjet e Kryesisë shumë pak diskutohej përmbajtja, pasi sikur të lexohej se qasja ishte krejtësisht profesionale dhe s’kishte asgjë politike”, ka thënë Murati.
Ai thotë se problemi kryesor ishte se në herën e parë nuk kishte Qeveri me kompetenca të plota. Por, kur u krijua qeveria e re atëherë kjo nismë u miratua.
Edhe
Murati s’është befasuar që Qeveria s’i dha mbështetje projektligjit të pandemisë
“Kjo është një nevojë e kohës, pasi është duke u parë se pandemia ende nuk është duke përfunduar dhe është mëse e nevojshme që të ketë një bazë ligjore që do t’u mundësojë institucioneve përkatëse që ta kryejnë punën e vet pa shkelur Kushtetutën dhe pa shkelur asnjë dispozitë tjetër ligjore që është në fuqi. Kjo e përbën rëndësinë ligjore të këtij ligji”, ka thënë ai.
Murati ka shtuar se më së largu deri më datën 11 korrik ajo duhet t’i rikthehet Kuvendit që pastaj të ngarkohen komisionet funksionale për ta trajtuar në lexime sipas rregullores së Punë së Kuvendit.
“Faktikisht kjo mund të kryhet shumë më shpejtë nëse ka vullnet. Qeveria ka një muaj në dispozicion për opinion, por kjo s’do të thotë se duhet ta presim tavanin e epërm të afatit, të cilën e kanë të rregulluar. Kjo pastaj menjëherë do të trajtohej në Kuvend”, ka thënë ai.
Murati ka treguar se janë edhe tri nisma të tjera ligjore, dy prej të cilave kanë të bëjnë me pandeminë.
“Këto nisma ligjore janë trajtuar si të barabarta dhe si të tilla, problemet procedurale janë ballafaquar që të tria nismat ligjore. Më vonë ka ardhur edhe nisma për Vlerat e Luftës. Osmani, përgjatë gjithë kësaj kohe ka luajtur një rol proaktiv, për ta çuar përpara këtë nismë legjislative. Ajo me çdo kusht ka dashur që kjo nismë të jetësohet sepse është në pyetje shëndeti publik dhe jeta e qytetarëve”, ka thënë Murati.
Për këtë nismë ligjore të Osmanit, Murati thotë se kanë qenë dy motive.
“Motivi i parë ka qenë mbrojtja e shëndetit publik dhe e dyta kërkesa e Gjykatës Kushtetuese. Sa i përket përmbajtjes, teksti fillestar është relativisht i shkurtë, me rreth 11 faqe. Pjesa kryesore ka të bëjë me dy lloje të vendimeve me të cilat mund të autorizohet Ministria e Shëndetësisë të ndërmarrë: veprimet kuadër dhe veprimet operacionale. Pastaj ka paraparë edhe një dispozitë për aspektin e sanksioneve të cilat do të mund të lëshoheshin nëse ka shkelje të masave që përcaktohen nga IKSHPK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë Murati.
Ai ka treguar se kjo nismë është shumë profesionale, dhe ky ligj është në fuqi vetëm sa të ka pandemi.
Edhe
Kuvendi miraton projektligjin kundër COVID-19
“Me rëndësi është edhe hyrja në fuqi dhe heqja e tij. Ai hyn në fuqi në momentin kur shpallet pandemia dhe largohet kur hiqet pandemia, pra tregon se kjo është krejtësisht profesionale. Duke e marrë parasysh situatën aktuale ky projektligj është shumë i nevojshëm dhe shpresoj që të marrim një përgjigje sa më të shpejtë prej Qeverisë dhe të mund të procedojmë me të”, ka thënë Murati.
Ai ka treguar se dy nismat e PDK-së më tepër kanë të bëjnë më tepër me rimëkëmbjen ekonomike.