Me 77 vota për është miratuar edhe në lexim të dytë projektligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19.
Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka falënderuar deputetët që votuan për.
Projektligji për parandalimin e pandemisë u iniciua në prill pasi që Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur të pavlefshëm vendimin për kufizimin e lëvizjes të ndërmarrë asokohe nga Qeveria Kurti.
Kushtetuesja kishte konstatuar se “kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore mund të bëhet ‘vetëm me ligj’ të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.
Ky ligj ka vetëm tetë nene. Në të thuhet se 'ligji ka për qëllim që të krijojë hapësirën e domosdoshme juridike për autoritetet me qëllim të luftimit dhe parandalimit të pandemisë”
Në Kosovë aktualisht lidhur me situatën e pandemisë veprohet në bazë të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse. Edhe dënimet në rast të mosrespektimit të vendimeve bazohen po në këtë ligj.
Në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, nuk ka qenë e paraparë pandemia si COVID -19, rrjedhimisht disa deputetët të Kuvendit të Kosovës, por edhe juristët kanë kërkuar miratimin e një ligji të ri, i cili do të ishte më i përshtatshëm për rrethanat e krijuar me pandeminë.